Ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi i ka dorëzuar detyrën e ministrit nga radhët e Nismës për Kosovën, Skender Reçicës.
Ministri në detyrë është shprehur se në kuadër të kësaj ministrie preken një pjesë e madhe e problemeve të qytetarëve, andaj konsideron se ky sektor ka rëndësi të madhe. Ai njëherit i ka dorëzuar Reçicës disa dokumente të rëndësishme të cilat pritet të vazhdojnë të implementohen edhe në të ardhmen.
“Është një plan 4 vjeçar i punës në vija të trasha që pritet në kuadër të ministrisë të realizohet. Po ashtu, janë dhe disa obligime nga MSA-ja që në njëfarë forme e prekin këtë ministri , po besoj se ju dhe stafi juaj në bashkëpunim me stafin që pothuajse çdo ditë punë të mirë, do t’i ndihmojnë edhe në angazhimet tuaja dhe kështu iu urojmë suksese në qeverisjen dhe punën tuaj të përditshme dhe në realizimin e ambicieve tuaja në kuadër të këtij sektori shumë të rëndësishëm”, tha Kamberi.
Ministri i ri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka vlerësuar punën e Kamberit dhe stafit të tij. Ndërsa ka shtuar se do të angazhohen që projektet e nisura më parë t’i shtyjnë përpara, duke thënë se do të përpiqen që çdoherë të jenë pranë qytetarëve.
“Si parti politike jemi të atillë që jemi mirënjohës ndaj punës së mirë, kështu që besoj fuqishëm dhe nuk e vë fare në dyshim që nuk janë bërë punë të mira… Besoj se punët e mira që janë nisë do të vazhdojnë me të njëjtin objektiv dhe synime. Jemi të vetëdijshëm edhe si përgjegjës i këtij dikasteri, edhe si Qeveri por edhe qytetarë që na presin sfida të mëdha… do të angazhohem që të jem aty ku kërkohet dhe të shtyjmë përpara projektet”, tha ai.
Ndryshe, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale gjatë mandatit të kaluar ishte udhëhequr nga LDK-ja, fillimisht nga Arban Abrashi e më pas nga Safet Kamberi. Ndërsa tani do të jetë kompetencë e NISMA-s./kp