Shqiptarët dje u zgjuan të tmerruar nga goditjet e tërmetit që shkundën kryesisht Durrësin, por edhe Tiranën. Deri më tani janë shënuar rreth 30 viktima, mes tyre edhe fëmijë. Ndërkohë raportohet për më shumë se 600 të plagosur.
E deri sa Shqipëria vijon të lëkundet vazhdimisht, dëmet në banesa janë shumë të mëdha. Ndërkaq edhe më tutje vazhdojnë kërkimet nën rrënojat e objekteve nga forcat e vendeve të ndryshme të botës.
Ngjarja në Shqipëri ka mobilizuar gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët po mbledhin ndihma dhe mijëra prej tyre janë nisur kanë shkuar e po shkojnë në Shqipëri për të ndihmuar.
Nga Policia e Kosovës tregojnë për FaktePlus se janë më mijëra persona e qindra automjete që kanë kaluar nëpër pikat kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë vetëm gjatë një dite.
Sipas të dhënave policore, në vendkalimet kufitare në “Qafë Prush”, “Qafën e Morinës” dhe “Vërmicë”, janë 11 mijë e 135 persona që u kontrolluan, prej të cilëve 6292 në hyrje dhe 4843 në dalje.
Po ashtu, nga të dhënat që i ka dërguar Policia e Kosovës, bëhet e ditur se kanë kaluar 2 mijë 443 vetura, prej tyre në hyrje e 2247, kurse të tjerat në dalje.

Duhet theksuar se gjithë kosovarëve që kanë shkuar për Shqipëri u është dashur të paguajnë taksën rrugore të vendosur nga Qeveria e Shqipërisë, shkruan FaktePlus.
Pas kritikave të shumta, tani kjo taksë thuhet se është larguar për gjithë ata që nisen për të ndihmuar qytetarët e Shqipërisë.
Një gjë të tillë së paku është konfirmuar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili paraprakisht kishte shprehur keqardhje që taksa rrugore po aplikohet edhe këto ditë.
“Po ju informoj se tashmë taksa rrugore është hequr dhe nuk do të paguaj askush që shkon për të ndihmuar”, ka thënë për FaktePlus ambasadori Minxhozi.
E që taksa rrugore është hequr e kanë thënë edhe nga shoqëria koncesionare e autostradës Milot – Morine (Rruga e Kombit), duke filluar qe nga dita e djeshme datë 26.11.2019 ka lejuar kalimin pa pagesë të të gjithë makinave.
“Individë, shoqata, institucione të Kosovës, Shqipërisë, etj), të cilët janë solidarizuar apo që kanë sjellë ndihma për të prekurit nga tërmeti. Këto grup personash do të lejohen të kalojnë pa pagesë deri në përfundim të situatës emergjente”, thuhet nga kompania.
Sipas kësaj kompanie këto grupe personash do të lejohen të kalojnë pa pagesë deri në përfundim të situatës emergjente./FaktePlus