Task-forca e qeverisë ruse për menaxhimin e pandemisë ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 6,060 raste të reja të infektimeve. Kjo është shifra më e lartë në Rusi për periudhën njëditore që nga fillimi i përhapjes së virusit.
Me rastet e reja, numri i përgjithshëm i personave të infektuar shkoi në 42,853. Autoritetet i kanë raportuar 361 viktima deri më tani, por ekspertët shëndetësorë besojnë se kjo shifër nuk është e saktë, sepse numri i të vdekurve është më i lartë.
Rritja e vazhdueshme e numrit të rasteve po ndodh pavarësisht masave të hershme dhe të rrepta të qeverisë për luftimin e përhapjes së virusit të ri. Para shumë vendeve evropiane, Rusia kishte marrë vendim për mbylljen e pjesës më të madhe të kufirit me Kinën.
Kryetari i Moskës, i cili ka qenë në vijën e frontit të luftës kundër koronavirusit, javën e kaluar paralajmëroi se vendi është vetëm në fillimin e rritjes së rasteve, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.
Gjatë një deklarate të para disa ditëve, presidenti rus, Vladimir Putin, u mundua që ta sigurojë popullin se qeveria është duke bërë përpjekje për ta luftuar sëmundjen.
Ai tha: “Të gjitha degët e qeverisë janë duke punuar me përgjegjësi dhe në mënyrë të organizuar. Situata është nën kontroll të plotë.”