Gjatë 24 orëve të kaluara, Rusia i ka shënuar 9,200 raste të reja të koronavirusit, mbi 1,300 më pak se një ditë më parë.
Kështu, numri i përgjithshëm i të prekurve nga Covid-19 në këtë shtet shkoi në 272,043 persona, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Përpos të infektuarve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 119 viktima dhe shifra e përgjithshme e të vdekurve nga virusi i ri në vendin më të madh në botë shkoi në 2,537.
Pavarësisht rasteve të reja, qeveria ruse ka vendosur që ta fillojë lehtësimin e masave të kufizimit, ndonëse në Moskë, ku është shënuar shumica e rasteve, do të vazhdojnë të mbeten në fuqi disa masa.
Rusia është në mesin e vendeve me numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus në botë, por dallohet për shkallën e ulët të vdekshmërisë, ndonëse disa besojnë se shifra zyrtare e viktimave nuk është e saktë.