Zyrtarët shëndetësorë në Rusi njoftuan se gjatë 24 orëve të kaluara në këtë shtet janë shënuar10,028 raste të reja të koronavirusit, duke e çuar në 242,271 numrin e përgjithshëm të të prekurve.
Këtë javë, Kremlini vendosi për lehtësimin e masave kufizuese, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të rasteve, që e ka vendosur Rusinë në vendin e dytë në nivel botëror, vetëm pas Shteteve të Bashkuara.
Shumica e rasteve të reja u shënuan në Moskë. Si rrjedhojë e kësaj gjendjeje, kryetari i kryeqytetit rus, Sergei Sobyanin, ka marrë vendim që qyteti të qëndrojë në karantinë deri në fund të majit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Pavarësisht shumë rasteve të reja, shkalla e vdekshmërisë në Rusi është shumë më e ulët në krahasim me vendet e Evropës Perëndimore. Gjatë 24 orëve të kaluara u shënuan 96 raste fatale dhe shifra e përgjithshme e të vdekurve shkoi në 2,212.
Sipas autoriteteve, deri më tani për koronavirus në Rusi janë testuar gati gjashtë milionë persona. Numrin e vogël të vdekjeve organet shtetërore e arsyetojnë me masat kufizuese dhe karantimin e personave të infektuar.
Megjithatë, kritikët dyshojnë se numri i vërtetë i viktimave është më i lartë, sepse autoritetet po i regjistrojnë shumë vdekje të lidhura me virusin si të shkaktuara nga sëmundje të tjera.