Qendra për Reagim ndaj Krizave në Rusi njoftoi se gjatë 24 orëve në këtë shtet janë shënuar 1,154 raste të reja të koronavirusit.
Kjo është shifra më e lartë zyrtare për periudhën njëditore që është shënuar deri më tani në shtetin me sipërfaqen më të madhe në botë.
Rritje shënoi edhe numri i viktimave. Në 24 orët e kaluara, nga koronavirusi në Rusi vdiqën 11 persona dhe kështu numri i përgjithshëm i të vdekurve shkoi në 58, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Autoritetet kanë marrë masa të gjera kundër përhapjes. Rusia ishte ndër shtetet e para që e mbylli kufirin me Kinën dhe i ndërpreu fluturimet ndërkombëtare.
Sidoqoftë, duket se qeveria ruse ka vendosur ta mbajë paradën e Ditës së Fitores me 15 mijë ushtarë, që ka ngjallur kritika dhe shqetësime për mundësinë e përhapjes së virusit.
Parada e Ditës së Fitores në Rusi shënohet çdo 9 maj dhe paraqet fitoren ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.