Filloi stërvitja e përbashkët ushtarake “DRUJBA 2017” të organizuar nga Rusia dhe Pakistani, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Mbrojtjes së Rusisë thuhet se forcat e ushtrisë së Pakistanit kanë shkuar në Rusi për një stërvitje e cila do të zgjasë dy javë.
Në deklaratë thuhet se stërvitja ku do të marrin pjesë gjithsej 200 ushtarë nga të dyja shtetet, do të organizohet në qytetin Çerkesk në rajonin e Kaukazit në Rusi.
Në deklaratë theksohet se në stërvitje në rend të parë do të jenë operacionet kundër terrorizmit, ndërsa si rezultat i kësaj stërvitjeje do të rriten lidhjet dhe bashkëpunimet ushtarake mes këtyre dy shteteve.
Pakistani dhe Rusia stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake e kanë zhvilluar në muajin shtator të vitit të kaluar në Pakistan.