Rajon & Botë

Rusët ia vënë drynin zyrës së Amnesty International në Moskë

Zyra e grupit për të drejtat e njeriut, Amnesty International, në Moskë është mbyllur zyrtarisht me dry nga autoritetet ruse gjatë natës.

Sergey Nikitin, shef i Amnesty International në Rusi, thotë se kur punëtorët arritën në zyre mëngjesin e sotëm, e panë se dera ishte thyer dhe se kishte bravë të re, transmeton Express.

Foto nga vendi i ngjarjes tregojnë se dora ishte kyçur me një njoftim zyrtar nga autoritetet e qytetit të Moskës.

Nikitin ka thënë se Amnesty e ka marrë me qira këtë zyre nga komuna e Moskës për 20 vite.

Organizatat për të drejtat e njeriut në Rusi janë ankuar për presion zyrtar në vitet e fundit, përfshirë frikësim të stafit të tyre dhe legjislacion kontrovers që rregullon operimin e organizatave jo qeveritare./Express/