Rajon & Botë

Rumani, mijëra protestues në ditën e 13-të të protestave anti-qeveritare

Dhjetëra mijëra demonstrues u mblodhën para qeverisë rumune duke kërkuar përsëri dorëheqjen e saj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në ditën e trembëdhjetë të protestave anti-qeveritare, demonstruesit në Sheshin e Fitores në Bukuresht me trupat e tyre formuan flamurin rumun.

Ata kërkojnë formimin e qeverisë së re dhe kalimin në një politikë të re të drejtimit së shtetit. Protestat i filluan muajin e kaluar pas vendimit të qeverisë së qendrës së majtë për uljen e dënimeve për ndëshkimin e korrupsionit.

“Kam ardhur për t’u treguar atyre se nuk mund të udhëheqin ashtu si dëshirojnë ata. Nuk mund të na përvetësojnë ose të na blejnë për disa lei”, tha protestuesi Bogdan Bogatoniu.

Ky 33-vjeçar i cili erdhi në protestë me gruan e tij dhe me djalin dy-muajsh, shtoi se rumunët “janë zgjuar” dhe se “askush më nuk mund t’i bëjë budallenj”.

Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në disa qytete të tjera në Rumani. Kryeministri Sorin Grindeanu tërhoqi vendimin e diskutueshëm një javë më parë nën presionin e demonstratave, të cilat ishin më të mëdhatë që nga rrëzimi i regjimit komunist në vitin 1989. Javën e kaluar dorëheqje ka dhënë edhe ministri i Drejtësisë.