Aktuale

Rugova: T’I vihet pike e madhe fjalës tranzicion në arsim dhe shëndetësi

Koordinatori për zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësues rezident i UNDP-së në Kosovë, Andrew Russell në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, ka folur për agjendën globale e cila përmban 17 objektiva për një zhvillim të qëndrueshëm, e që në fokus kanë shërbimet e mira shëndetësore dhe arsimore.

Russell para komisionit tha se janë aty që të bashkëpunojnë në arritjen e këtyre objektivave . Ndërsa tha se duhet të sigurohet një arsim cilësor dhe mundësi për një zhvillim të qëndrueshëm, nëse ka vullnet politik.

“Sigurimi i arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës dhe të nxitja e mundësive për mësimin. Mendoj që ju e keni një mundësi në Kosovë të përdorni qëllimin për një zhvillim të qëndrueshëm… Kemi një mundësi në Kosove nëse ka vullnet politik. Ne mund të përdorim objektivat e një zhvillimi të qëndrueshëm që të iu shtyjmë në korrikulen e shekullit 21 dhe gjithashtu të kemi një qasje që të promovoni njohuri dhe të angazhoni njerëz”, tha ai.

Ai foli dhe për arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave, për të cilën tha se ka shumë të arritura në këtë fushë, duke përfshirë dhe Parlamentin e Kosovës, por akoma ka shumë vajza që janë jashtë shkollës në mbarë botën dhe kjo mbetet sfidë. Ndërsa u tha anëtarëve të komisionit se duhet të jenë krenar për punën që bëjnë.

“Është një punë në progres. Por duhet të jeni krenar, për të arriturat që i keni bërë në nivelin parlamentar, në nivelin e kuvendit. Por duhet të punoni për shoqërinë dhe ata mund të ndjehen të lirë. P.sh për të drejtat e kominitetit LGBTI, jo vetëm në Kosovë, por në mbarë botën. Por duhet të jeni krenar për arë çfarë keni bërë. ..Dëshiroj të theksoj faktin se perspektiva jonë si kombe të Bashkuara, agjenda e zhvillimit global dhe gjithashtu objektivat globale, janë mundësi për Kosovën, që të shihet dhe të dëgjohet në tregun global dhe idetë dhe kornizat globale”, tha ai.

Ndërsa anëtari i komisionit nga radhët e LDK-së Naser Rugova tha se 17 objektivat prekin në plotni të gjitha nevojat, sfidat dhe ballafaqimet që shteti i ri i Kosovës do t’i ketë në të ardhmen, për një zhvillim të qëndrueshëm.

“Duhet të koordinojmë punët në mes të komisioneve funksionale dhe kompetente, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, por dhe të ministrive të linjës. Por edhe shoqërisë civile dhe grupeve tjera të interesit, që vërtetë shteti i Kosovës në prag të 10-vjetorit të kremtimit të pavarësisë, të vejë pikë të madhe fjalës tranzicion në arsim dhe shëndetësi. Kanë ardhur dhe shumë modele nga vendet me demokraci të zhvilluar dhe me një arsim cilësor, qoftë si shembulli i mjekësisë familjare në kujdesin primar shëndetësor, apo edhe për programe të caktuara qoftë dhe në arsimin para universitar dhe universitar. Nuk kemi arritur si vend, bashkë me ndihmën e madhe të miqve tanë dhe organizatës që ju përfaqësoni, ta ndërtojmë qoftë një agjendë legjislative , qoftë një strategji zhvillimore të qëndrueshme për këta dy sektorë”, tha ai.

E Flora Brovina, anëtare e komisionit nga PDK tha se problemet në Kosovë, janë ndryshe nga ato në vendet tjera, pasi që është vend i dalë nga lufta.

“Vërejtja ime ishte kjo shumë herë ne ngecim në realizimin e këtyre objektivave, duke mos i analizuar si duhet. Vet situatat në Kosovë, vet problemet janë ndryshe nga vendet tjera. Asnjëherë nuk e kemi theksuar sa duhet, që Kosova kalon paralel në dy rrugë. Ne jemi shoqëri e dalë nga lufta dhe këtë nuk e theksojmë sa duhet. Një shoqëri e dalë nga lufta ka shumë probleme, të cilat e përcjellin me dekada dhe këto ende vazhdojmë të nxisin në shpirtin tonë dhe janë një problem . Sindromi post traumatik shfaqet shumë pas luftës dhe disa objektiva të shoqërisë sonë ose synime, për çka ata u sakrifikuan nuk janë realizuar si duhet . Ende s’kemi kërkim falje nga shteti që shkaktoi gjithë këtë dhimbje dhe gjithë këtë plagë“, tha ajo./kp