Aktuale

Rrustemi: Janë mbi 118 mijë votues të rijnë në këto zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen të mbajtur sot certifikoi Listën Përfundimtare të Votuesve për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 11 qershor 2017. Lista Përfundimtare e Votuesve përmban 1872941 emra të votuesve. Këto të dhëna i ka paraqitur, Adnan Rrustemi anëtar i KQZ-së.

“Lista përfundimtare e votuesve ka kaluar nëpër proceset, të cilat i parasheh ligji edhe rregullat e KQZ-së, nga pranimi i ekstrakteve nga Agjencinë i Regjistrimit Civil si burim i krijimit të listës së votuesve në secilën fazë që pareshe procesi. Përfundimisht lista e votuesve i ka 1872941 emra. Në dallim prej 155202 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014-të. Numri i qendrave është 889 me 91 qendra të votimit të shtuara në krahasim me zgjedhtë e vitit 2014-të. Janë 118448 votues të rijnë në këto zgjedhje që përfshihen për herë të parë”, tha Rrustemi.

Ndërsa sipas tij, 36754 votues që nuk kanë qenë në listën përfundimtare në zgjedhjet e 2014, e që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të vitit 2014.

“Numri i emrave që janë larguar si të vdekur në mes të zgjedhjeve 2014-të 2017-të është 33 mijë e 542. Numri i votuesve që kanë hequr dorë nga shtetësia gjatë kësaj periudhe është 31 mijë e 173 dhe numri i votuesve që ka ndërruar adresë gjatë kësaj periudhë 36265. 84417 votues janë caktuar në qendra të reja të votimit, të cilët pritet të informohen nga KQZ-ja përmes kartolinave të paktën kështu është në planë të aktiviteteve tona”, tha Rrustemi.

Po ashtu ai ka njoftuar se gjatë kësaj periudhe, përmes adresës postare të KQZ-së, fax-it; dhe email adresave, janë pranuar 20354 aplikacione për regjistrim, 15118 janë regjistruar si votues të suksesshëm; 5236 aplikacione për regjistrim janë refuzuar, 14 aplikues kanë qenë nën moshën 18 vjeçare dhe që nuk e arrijnë këtë moshë as në Ditën e Zgjedhjeve; 118 aplikacione për regjistrim nuk e kanë nënshkruar formularin e aplikimit; dhe 5104 aplikues janë refuzuar, pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike për përfshirjen në listën e votuesve jashtë Kosovës. Në vazhdim të mbledhjes Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akreditoi Grupin e Dytë të Vëzhguesve, numri i të cilëve është: 350. Deri më tani numri i vëzhguesve të akredituar nga KQZ-ja është: 373 vëzhgues. Në fund të takimit, KQZ-ja emëroi edhe Këshillat e Vendvotimeve në 34 komuna, ndërsa anëtarët e KQZ-së u dakorduan që pjesa tjetër (4 komuna) të bëhet në një mbledhje tjetër, gjatë ditës së enjte, raporton KosovaPress.