Masivi shkëmbor, që një ditë më parë u mori jetën 3 personave në Torovicë të Lezhës, peshonte 30 tonë.
Sipas specialistëve, të cilët bënë vëzhgimin e vendit të ngjarjes, në mesin e trajektores masivi shkëmbor është ndarë në dy pjesë.Pjesa më e madhe ra mbi makinën, me të cilën udhëtonin 3 viktimat, e tjera me përmasa disa herë më të vogla, rreth 30 metra më tutje. Ekspertët ngrenë alarmin se situata është vërtet problematike dhe duhet ndërhyrë menjëherë. “Duhet një krehje e përgjithshme e zonës, por nga evidentimi që pamë ne sot ka rreziqe të tjera. Nuk është vetëm ky masiv, por ky ka qenë vetëm sinjali. Ka rreziqe të tjera edhe nga maja e shkëmbit atje, edhe gjatë të gjithë rrugës së Torovicës. Aktualisht rrezikohet edhe një shtëpi, sepse ka dy masivë sipër shtëpisë. Reshjet gjithmonë e shtojnë rrezikun. Duhen marrë masa urgjente për evidentimin një për një të këtyre rreziqeve”, tha Vladimir Kola, inxhinier në Shërbimin Gjeologjik Shqiptar. “ Duhet dhe do të kërkojmë që të krihet zona, të monitorohet dhe të bëhet e mundur eliminimi i këtyre pasojave të mëdha në drejtim të jetëve njerëzore. Këtu është e rrezikuar e gjithë zona”, tha Ndrek Mhillaj, specialist i Emergjencave Civile, Prefektura Lezhë. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët thonë se me rrezikshmëri të lartë është zona e Torovicës, por edhe zona e Kakarriqit. Pas matjeve dhe vëzhgimit të zonës do të dilet me një raport përfundimtar, i cili do t’i dorëzohet pushtetit vendor për ndërhyrje. Një ndërhyrje që mund të kryhet me copëzim të këtyre shkëmbinjve, ose me vendosjen e rrjetave për të shmangur të tjera ngjarje të rënda. Vet banorët e Torovicës pranojnë se kjo nuk është hera e parë, që masive shkëmbinjsh shkëputen nga mali.