Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk e ka ndërmend të ndalet së rrituri stafin e tij këshillues. Kreu i ekzekutivit edhe pse i kritikuar për numrin e madh të këshilltarëve, që arrin rreth 35, së fundi ka emëruar e dhe një këshilltar.
Ish kandidati i partisë së tij, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për kryetar të Prizrenit, Lulzim Kabashi, është rehatuar në zyrën e kryeministrit si këshilltar i jashtëm i shefit të tij në parti, kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Emërova sot Lulzim Kabashin, Këshilltar të Jashtëm Politik, në veçanti për fushën e ekonomisë, me fokus rajonin e Prizrenit”, ka thënë Haradinaj përmes një statusi në rrjetin social Facebook. /FaktePlus