Pro BE’së, liberal dhe ‘autsajder’ politik, ish-ministri francez i Ekonomisë po josh në fushatë turma të mëdha njerëzish, që po i tuten ardhjes së Marine Le Penit në krye të vendit.
Nga skena, në një sallë koncertesh të mbushur plot, kandidati më i ri në moshë për president të Francës shikonte në drejtim të mijëra njerëzve që kishin ardhur të bëheshin dëshmitarë të fjalimit të tij të zëshëm, shkruan The Guardian.
“Mos i pranoni kurrë ata që nxisin përjashtime, urrejtje dhe vetëmbyllje!”, ka nxitur Emmanuel Macron audiencën në Lil, një qytet i rrethuar nga bastionet veriore majtiste të Francës, që gjithnjë e më shumë po e mbështesin Marine Le Penin e Frontit Kombëtar për presidente, transmeton Gazeta Express.
“Fronti Kombëtar gënjen kur premton kthimin e pikave të sigurisë në kufi”, ka thënë ai.
Centristi mendjehapur, i cili po garon si i pavarur dhe si ‘autsajder’ në presidencialet franceze, ka bërë diçka që asnjë tjetër nuk është duke e bërë. Ai ka lavdëruar Bashkimin Evropian, duke u përshëndetur me brohoritje të fuqishme. “Evropa jemi ne! Brukseli jemi ne! Neve na duhet Evropa”, ka bërtitur ai.
Mbështetësit e tij, shumë prej tyre në vitet e tyre të njëzeta, duartrokisin dhe valëvitnin flamujt e BE’së.
Macron po bëhet fenomen gjithnjë e më i madh në fushatën tejet të paparashikueshme presidenciale në Francë.
Në javët e fundit, ish-ministri i Ekonomisë ka nisur të ngjitet aq bindshëm në anketat e opinionit, saqë gjasat që ai të bëjë një befasi të madhe në zgjedhjet e pranverës po konsiderohen bajagi të mira.
Francezët mendojnë se ai mund të arrijnë rrethin final të votimit, duke rrëzuar njërin prej pretendentëve kryesorë aktualë: djathtistin, konservatorin dhe reformistin e tregut të lirë, François Fillon; dhe ekstremisten djathtiste, kundërshtaren e emigracionit dhe të BE’së, Marine Le Pen. /Express/