Rajon & Botë

Rrëzohet një avion luftarak rus

Një avion luftarak rus, tip ”Suhoi 33” u rrëzua në det pas dështimit në ulje mbi aeroplanmbajtësen ”Admiral Kuznjecov”, e dislokuar në Mesdhe, për kryerjen e operacioneve ushtarake në Siri, njoftoi sot ushtria ruse cituar nga agjencitë e lajmeve.

“Pasi kishte përfunduar një mision luftarak në Siri, avioni luftarak ‘Suhoi-33’ tejkaloi pistën e uljes në përpjekje për t’u vendosur në aeroplanmbajtësen ‘Admiral Kuznjecov”, deklaroi Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë.

”Aksidenti u shkaktua nga një këputje e kabllit që ka si funksion mbajtjen e avionëve në momentin e uljes në kuvertën e aeroplanmbajtëses”, shtoi ai, duke saktësuar se piloti ishte hedhur në kohë duke shpëtuar pa marrë asnjë plagë.

Ky është avioni i dytë i humbur nga marina ruse që prej dislokimit në mesin e nëntorit i aeroplanmbajtëses në brigjet siriane.

Më 14 nëntor, një avion luftarak, tip ”MiG-29K” është rrëzuar në Mesdhe në momentin kur do të ulej mbi aeroplanmbajtëse.