Rajon & Botë

Rrëzohet një aeroplan luftarak amerikan në Detin e Filipineve

Një aeroplan ushtarak amerikan është rrëzuar në Detin e Filipineve, që shtrihet në jug të Japonisë dhe në lindje të Filipineve. Aeroplani i tipit “F-A 18 Hornet” ishte duke kryer operacione rutinore në momentin që u përball me një problem teknik, i cili i detyroi dy personat që gjendeshin në të që të kërcejnë nga aeroplani.
Ata u shpëtuan nga uji dhe ishin në gjendje të mirë shëndetësore. Pasi u shpëtuan, ata u vendosën në aeroplanmbajtësen “USS Ronald Reagan” dhe u morën në pyetje për ngjarjen. Rajoni ku aeroplani u rrëzua është vend i disa bazave të ushtrisë amerikane, të cilat numërojnë mijëra ushtarë.

Në anën tjetër, roja bregdetare japoneze e dërgoi një aeroplan për të parë nëse kishte ndonjë mbetje apo vaj në det për shkak të rrëzimit të aeroplanit amerikan. Ky është incidenti i dytë brenda një kohe të shkurtë, në të cilin është përfshirë aeroplanmbajtësja “USS Ronald Reagan”. Në mesin e tetorit të kaluar, një helikopter i kësaj aeroplanmbajtëse ishte rrëzuar në sipërfaqen e saj, me ç’rast ishin lënduar 12 persona.

Flota e Shtatë Amerikane, e cila është e angazhuar në rajonin e Paqësorit dhe Azisë Lindore, përbëhet nga të paktën 50 anije, 140 aeroplanë dhe rreth 20 mijë anëtarë të personelit, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.