Rajon & Botë

Rreth 60 të vrarë në një sulm në Nigeri

Së paku 59 persona janë vrarë gjatë një sulmi që ndodhi në pjesën verilindore të Nigerisë. Për këtë sulm po dyshohen xhihadistët.

Persona të armatosur u futën në një fshat të skajshëm të rajonit Borno të martën pasdite, duke lënë të vrarë dhjetëra persona, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:
Edhe pse pandemi, bankat në Kosovë dhanë kredi 40 milionë euro
Asnjë grup nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për këtë sulm. Agjencia “AFP” raportoi se 59 trupa të pajetë janë gjetur në vendin e sulmit, por “Reuters” shkroi se në këtë sulm janë vrarë 69 persona.

Njëra agjenci raportoi se militantët e kryen këtë sulm pasi dyshuan se banorët e fshatit kishin ofruar të dhëna për forcat e sigurisë rreth lëvizjeve të grupit, ndërsa tjetra tha se xhihadistët janë vrarë nga banorët lokalë, të cilët mundoheshin t’i mbronin gjedhet.

Ndonëse nuk është e qartë kush qëndron prapa këtij sulmi, grupi “Boko Haram” dhe një grup tjetër që lufton nën parullën e ISIS-it kanë kryer sulme vdekjeprurëse në pjesën verilindore të Nigerisë në të kaluarën.

Grupi famëkeq “Boko Haram”, i cili nxiti reagime të shumta globale në vitin 2014, kur i kishte rrëmbyer 270 nxënëse në Borno, është gjithashtu aktiv në Çad, Niger dhe Kamerun.

Në mars të këtij viti, militantët e këtij grupi i vranë në pritë së paku 47 ushtarë nigerianë para se t’i vrisnin gati 100 ushtarë të tjerë në Çad një ditë më pas.