Aktuale

Rreth 300 raste të falsifikimit të dokumenteve

Rastet e falsifikimit të diplomave nuk janë të rralla në vend. Në një rast të tillë u përfshi, së fundi, edhe Shefi i Divizionit për Rishqyrtim dhe Ankesa në Bankën Qendrore të Kosovës, Agron Ramadani. Ai u arrestua nga policia me dyshimin se e ka falsifikuar diplomën e shkollës së mesme dhe atë të fakultetit. Ndërkohë, gjatë tërë vitit në vend janë raportuar edhe rreth 300 raste të tjera të falsifikimit të dokumenteve.

Agron Ramadani nuk mund ta përfundonte orarin e punës të premten. Gjithë kjo pasi ai u vu në pranga nga Policia e Kosovës.Deri tek arrestimi i tij, erdhi pas dyshimeve se i njëjti e kishte falsifikuar diplomën e shkollës së mesme dhe atë të fakultetit.

Ramadani ushtronte pozitën e Shefit të Divizionit për Rishqyrtim dhe Ankesa në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).

Arrestimin e tij dhe arsyet për këtë i ka konfirmuar edhe prokurori i rastit, Rexhep Maqedonci për Gazetën Express. Ai tregoi se arrestimi i Ramadanit u krye brenda objektit të BQK’së.

“Dyshohet se ka falsifikuar dhe ka legalizuar përmbajtje të pavërtetë të diplomës së shkollës së mesme dhe të fakultetit ekonomik të UP-së”, tha prokurori Rexhep Maqedonci.

Por, ky nuk është rasti i vetëm i falsifikimit të dokumenteve. Madje, numri i këtyre rasteve po del të jetë goxha i lartë.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë periudhës janar- tetor të këtij viti, në vend janë raportuar rreth 300 raste të falsifikimit të dokumenteve. Prej gjithë këtyre rasteve, në Polici thonë se si raste të falsifikimit të dokumenteve të veçanta, sikurse rasti i Ramadanit, janë regjistruar dhjetë raste të tilla.

“Duke u bazuar në bazën e të dhënave te PK-së për periudhën janar-tetor 2018, janë raportuar 292 raste të falsifikimit të dokumenteve, dhe 10 raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve. Informacionet dhe detajet tjera bëhen të ditura tek organet e drejtësisë”, thuhet në përgjigjet e policisë drejtuar Gazetës Express.

Falsifikimi i dokumenteve dënohet edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Në bazë të Kodit Penal, dënimi për falsifikim të dokumenteve mund të jetë me gjobë ose deri në pesë vite burgim.

Sipas Nenit 39, paragrafi i parë, “kushdo që përpilon dokument të falsifikuar, ndryshon dokumentin origjinal me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal ose me dije përdor dokumentin e falsifikuar apo të ndryshuar si origjinal, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.

“Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet në lidhje me dokumentin publik, testamentin, kambialin, regjistrin publik apo zyrtar ose ndonjë regjistër tjetër që ruhet në bazë të ligjit, kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet”, thuhet në Kodin Penal./Gazeta Express

the authorBurbuqe Metolli