Aktuale

Rreth 200 hektarë në Kçiç të Mitrovicës përfshihen nga zjarri

Mbi 200 hektarë sipërfaqe shkurre, pemë etj. janë përfshirë nga zjarri në fshatin Kçiç të Mitrovicës, ndërsa ekipe të zjarrfikësve nga jugu dhe veriu i Mitrovicës janë duke bërë përpjekje për ta lokalizuar zjarrin.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj ka bërë të ditur për KosovaPress se zjarri është duke u ofruar shtëpive që ndodhen në këtë zonë, përkatësisht Lagjes së Tupellëve.

“Që nga ora 16:30 njësitet e zjarrfikësve janë duke u përpjekur ta lokalizojnë zjarrin, i cili ka përfshirë mbi 200 hektarë sipërfaqe. Kemi ftuar në ndihmë edhe njësitë e zjarrfikësve nga veriu i Mitrovicës, të cilët na janë përgjigjur menjëherë, ndërsa po kërkojmë ndihmë po ashtu nga qendra në Prishtinë dhe nga KFOR-i”, ka thënë Dragaj.

Dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga vapa, por edhe nga pakujdesia e ndonjë individi.