Aktuale

Rrënohen disa shtëpi në Hade, banorët e kundërshtojnë vendimin

Sot në Hade të Obiliqit Inspektorati i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe përfaqësues të KEK-ut, të shoqëruar edhe nga Njësia Speciale e policisë kanë rrënuar shtatë themele për shtëpi banimi në këtë fshat.

Hadjanët e kanë kundërshtuan këtë aksion duke theksuar se Inspektorati nuk ka pasur sot as një vendim apo paralajmërim për këto rrënime.

Reagimi i këtyre banorëve është se nëse sërish do të përsëritet një aksion i tillë, reagimet e tyre do të jenë shumë të ashpra, të egra dhe do të bëjnë rezistencë qoftë edhe me jetë.

Ali Grajçevci, të cilit iu rrënua shtëpia në ndërtim, tha se janë të shokuar me aksionin e Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit. Ai shtoi se këto ndërtime nuk munden t’ua ndalin deri të caktohet data e  dislokimit ose mundësinë për t’u shpërngulur dhe ndërtuar shtëpi në fshatin Shkabaj, aty ku janë ndarë parcelat për troje në vitin 2008.

“Ne kemi insistuar me gjithë banorët. Jemi shtrirë mbi themele, por na kanë larguar me forcë… Kështu që sot jemi të traumatizuar… Nuk ka pasur as vendim as paralajmërim asnjë prej neve. Me vendim të vitit 2004, ministria e Planifikimit po bazohet, ku sipas tyre është zonë e interesit. Ne ju kemi dhënë prona, me shpresë se ne do të shpërngulemi një ditë… Sot e tutje ne nuk kemi me biseduar as me KEK, as me Qeveri, as me pushtet, le të vijnë të na mbysin… Ndoshta edhe kemi me rezistuar duke luftuar me ta, ku kemi me bërë edhe atë më të keqën, ngase ne ia kemi kthyer plumbin ‘shkaut’,  e për me i kthyer plumb shqiptarit këtë se kemi menduar kurrë”, deklaroi Grajçevci.

Edhe banori tjetër i dëmtuar nga ky aksion, Ahmet Grajçevci theksoi se aksionet për rrënime janë të qëllimshme dhe përçarëse, ngase sipas tij, vetëm familjes Grajçevci iu janë rrënuar shtëpitë, kurse fqinjëve të tyre që janë të afërt me njerëz në pushtet nuk iu kanë rrëzuar shtëpitë dhe vilat luksoze.

Ai shtoi se për këto dëme që iu janë bërë, do t’i drejtohen sistemit të drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.

 

“Ne do të kryejmë punën tonë me gjykatë, në qoftë nevoja edhe deri në gjykatën e  Strasburgut, këtu shihet hapur se shkilen  të drejtat e njeriut… vetëm të lagjes tonë, të familjes Grajçevci… Derisa këta neve nuk na ndajnë vendin se ku duhet të strehohemi dhe të ndërtojmë. Andaj, nuk është interes i yni me ndërtuar ne këtu, vetëm humbje kemi”, deklaroi Grajçevci.

Monitoruesja e kësaj zone nga shoqëria civile, Dajana Berisha nga Organizata jo Qeveritare “FIQ”, theksoi se ky aksion është i turpshëm, ngase këta banorë të Hades as nuk po dislokohen nga ky fshat, e as nuk po lejohen të zgjerohen me ndërtime. Ajo tha se kjo situatë e tensionuar të kujton kohën pas vitit  2004 ku janë bërë zhvendosjet e para të dhunshme të gjysmës së fshatit Hade.  Aksionin e sotëm në Hade, Berisha e quajti si terrorizues dhe të frikshëm ndaj banorëve të Hades.  Berisha: Banorët e Hades në terror dhe fikë nga pushteti (Video) “Kur i pyetëm (inspektoratin) nëse kanë ndonjë vendim që do të duhej t’i tregohej këtyre banorëve që po ndodhë sot ky aksion i rrënimit të disa themeleve, andaj, asnjë letër as një vendim nuk u paraqit, me pretekstin se këta banorë duhet me shkuar në Ministri të Mjedisit me pa atë vendim gjë që është e jashtëligjshme, sepse ai vendim do të duhej sot t’i tregohej banorëve pak më herët se sa sot. Por, këto janë vendime disi arbitrare, janë do aksione që më shumë frikë dhe terror te banorët se sa realisht janë në funksion të zbatimit të ligjit për prishjen e ndërtimeve të paligjshme”, deklaroi Berisha.

Edhe ajo theksoi se banorët e dëmtuar sot, nuk kishin asnjë njoftim paraprak.  Ndërsa, zyrtarë të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, nëpërmjet një komunikate për media njoftuan se në aksionin e përbashkët të komunës së Obiliqit dhe KEK-ut, në asistencën edhe të  Policisë së Kosovës u realizua aksioni i rrënimit të shtatë  objekteve,  të cilat kanë qenë në fazat fillestare të ndërtimit, pa leje dhe pa kritere.

“Të gjitha këto objekte paraprakisht kanë kenë të inspektuara dhe të shirituara, po ashtu nga inspektimi i përbashkët me komunën e Obiliqit. Qëllimi i aksionit është ndërprerja e të gjitha ndërtimeve në Zonën me Interes të Veçantë Ekonomik, “Fusha e mihjes së re”.  Edhe njëherë i bëjmë ftesë të gjithë banorëve të cilët kanë prona në këtë zonë, të mos fillojnë asnjë aktivitet ndërtimor, pa u konsultuar me organet kompetente dhe pa leje paraprake, në të kundërtën pasojat do t’i bartin vet ata”, thuhet në reagimin e zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit.

Edhe banorë të tjerë vlerësojnë se situata është mjaft e rënduar në fshatin Hade, sepse ky fshat ka mbetur mjaft i izoluar, duke mos marr masa askush nga institucionet  shtetit për t’i bërë zgjidhje këtyre banorëve. /KP/