Aktuale

Rrëfimet e të lënduarve nga aksidenti i tmerrshëm në Gjilan

Aksidenti që ndodhi dje në qendër të Gjilanit la të vdekur një person, dhe u shkaktoi lëndime dhjetëra të tjerëve. Qytetarët të cilët kanë marrë lëndime kanë treguar për momentin e aksidentit.
Qytetarët të cilët janë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit, kanë thënë për T7 se kanë qenë të rrezikuar në momentin e aksidentit, derisa kanë treguar se si ka ndodhur aksidenti.

“Kemi qenë në furrë, thashë ta marr një bukë. Unë t’u dalë te dera i pashë kerret t’u dalë poshtë. Momentin që ka ardhë një kombi u afru te rruga, t’u u largu më ka rrok në kamë. Ai (viktima) ka qenë para meje e ka pa krejt. Ma shumë nuk di se ka qenë shumë shpejt”, ka thënë një nga të lënduarit, duke përfunduar se është i lumtur që ka shpëtuar i gjallë.

E një tjetër person i lënduar është pronari i traktorit që shihet në fotografitë e aksidentit. Sipas tij, ka qenë pikërisht traktori i tij, i cili e ka ndalur kamionin, në të kundërtën ai do të shkonte drejt lokaleve ku shumë njerëz ishin duke pirë kafe.

“Sot kam lind për së dyti. As dy sekonda s’kam pas kohë me mendu kah me shku, a me shku në të majtë, a në të djathtë. Mos me u pas kanë traktori jem, kishte me shku kamioni drejt e te njerëzit që ishin duke pi kafe. ata njerëz që janë kanë në kafe kanë shpëtua shkaku i traktorit tem”, ka thënë ai.

Ndryshe, kamioni transportues ishte në shpejtësi të madhe dhe ka goditur gjithçka para vetes, duke shkaktuar aksident zinxhiror dhe shumë dëme në qytet.

Nga goditjet e kamionit ka mbetur i vdekur një person, dhe disa të tjerë kanë marrë lëndime. Disa prej të lënduarve po trajtohen në Spitalin Rajonal të Gjilanit, e disa të tjerë të cilët janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, janë dërguar QKUK. /Express