Aktuale

Roli i grave në proceset politike dhe ekonomike, i domosdoshëm

Zëri dhe roli i gruas duhet të fuqizohet çdo ditë në shoqëri, politikë dhe ekonomi, edhe pse barazia dhe përfshirja nuk arrihen lehtë.

Kështu u tha sot në hapjen solemne të “Java e Gruas”, ku sivjet, tema e kësaj Jave është Deshifrimi i Integrimeve Evropiane.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe ambasadori SHBA-ve në Prishtinë, Greg Delawie, i cili në fjalën e tij ka folur për rolin e gruas në shoqëri.

Sipas tij avancimi i rolit të gruas ka rëndësi për integrimin e Kosovës, pasi që siç tha ai, roli i gruas ka rëndësi të jetë zë i fuqishëm në të gjitha proceset politike dhe ekonomike.

 

“Pjesëmarrja më e madhe e grave në shoqërinë civile të grave, në politikë, ekonomi qon drejtë një prosperitet të sigurisë më të madhe. E dimë po ashtu, kur gratë fuqizohen për të marr pjesë pa frikën e dhunës apo ndëshkimit, ato marrin pjesë më me efikasitet në bashkësitë e tyre. E kur ato kanë një zë më të fuqishëm, atëherë vetëm institucionet mund të jenë më të përgjegjshme ndaj nevojave të komunitetit në tërësi. Besoj se pika qendrore e këtij nocioni të përfshirjes dhe fuqizimit është ideja e pranimit që zëri i juaj të dëgjohet…Fuqizimi, barazia dhe përfshirja nuk arrihen lehtë, nuk mbërrihen brenda natës”, deklaroi Delawie.

Me këtë rast, presidenti I Kosovës, Hashim Thaçi, tha se është krenar dhe i vetëdijshëm se shumë aktivitete dhe shumë suksese gjatë viteve të lirisë dhe pavarësisë në fushën e vetëdijesimit për të drejtat e grave në shoqërinë kosovare,  janë rezultat i punës së përbashkët në mes NDI, USAID-it dhe të komuniteteve të grave kosovare në politikë, shoqëri civile dhe biznes.

 

“’Java e gruas’ është një nismë fisnike dhe e duhur, sepse ky aktivitet sjell së bashku përfaqësues të të gjitha subjekteve politike, të gjitha etnive dhe gjithashtu nga shoqëria dhe sektori i biznesit… Mendoj se temat që mbulohen në këtë ‘Javë’ janë të rëndësisë esenciale për të shtyrë progresin e përfaqësimit gjinor, prej ndarjes së buxhetit që reflekton përgjegjësinë përgjegjshëm barazinë gjinore, dhe zhvillimit të programeve për mbështetjen e grave ndërmarrëse, e deri tek reformat në drejtësi”, deklaroi Thaçi.

Ndërsa, zëvendëspresidentja e Institutit Kombëtar Demokratik(NDI), Shari Bryan, tha se 30 burra të guximshëm dhe të edukuar të cilët janë sot këtu,  janë pjesë e përkushtimit dhe kuptimit të sfidave me të cilat gratë ballafaqohen në politikë dhe nevojës për politika për të reflektuar në interesat e tyre dhe interesin e çdo gruaje.

Ajo shtoi se zhvillimi pa demokraci është e vështirë të ndodh , por demokracia pa gratë është e pamundur.

 

“Rritja e pjesëmarrjes e gruas  është diçka për të cilën NDI është e përkushtuar në gjithë botën. Kryetarja jonë, Madeleine Albright e cila është një lidere e shkëlqyer e NDI-së shpesh herë ka thënë se zhvillimi pa demokraci është e vështirë të ndodh , por demokracia pa gratë është e pamundshme”, theksoi Bryan.

“Java e Gruas” është një ngjarje vjetore mbarëkombëtare që filloi në vitin 2012 si një pilot-projekt i NDI i mbështetur nga USAID-i.  Ai tubon një grup ndëretnik prej më shumë se 100 gra nga partitë politike, shoqëria civile, biznesi, mediumet dhe komuniteti akademik. /KP/