Aktuale

Rishikimi i buxhetit, LDK nuk e voton

Ministri i Financave Bedri Hamza gjatë paraqitjes së plotësim ndryshimit të ligjit për buxhetin e Kosovës, tha se Qeveria e Kosovës me marrjen e mandatit është ballafaquar me mungesë për alokimin e shumë programeve dhe linjave buxhetore, të cilat kanë bërë të domosdoshme procesin e rishikimit të këtij buxheti.

Ai tha se lartësia e këtyre kërkesave dhe kufizimeve në legjislacionin bazë e kanë bërë të pamundur adresimin e nevojave përmes nenit 16 të Ligjit të buxhetit, i cili lejon ndryshimin e rialokimeve deri në 5 përqind të totalit të buxhetit.

Hamza shtoi se rishikimi është bërë në harmoni me programet e FMN-së. Sipas tij, Qeveria me rishikim i është qasur projekteve madhore.

“Pagesën për kategoritë e dala nga lufta e kemi obligim ligjor, e duhet me përmbushur këtë obligim. Sa i përket sigurimeve shëndetësore, në momentin kur të krijohen parakushtet ligjore, sigurisht se ne do të reflektojmë ato në buxhet. Mirëpo, nuk do të qesim mjete pa u krijuar parakushtet ligjore pa u bërë kjo si ndryshim i ligjit, pa u kryer aktet nënligjore, pa u caktuar çmimet e shërbimeve dhe pa u pajisur personat me kartela. Një çështje tjetër që është debatuar, është rruga apo autostrada për Gjilan. Ky projekt ka kaluar në një fazë tjetër, tek organet që janë jashtë ndikimit të Qeverisë. Ne nuk paragjykojmë se si do të jetë fundi i këtij procesi, është çështje e organeve të tjera. Mirëpo ne iu sigurojmë dhe iu garantojmë, sepse me buxhet të rregullt kanë qenë të parapara 1 milion e 850 mijë euro, në çdo moment pasi ligji na lejon jo vetëm 1 milion e 850 mijë, por edhe 2 milionë e 850 mijë jemi në gjend je me I siguruar për këtë projekt”, tha ministri Hamza.

Deputeti i LDK-së Naser Osmani, ka deklaruar se grupi parlamentar i LDK-së nuk do ta votojë rishikimin e buxhetit. E arsye për këtë sipas tij mbetet heqja e mjeteve për autostradën Prishtinë – Gjilan, si dhe heqja e mjeteve nga fondi i sigurimeve shëndetësore, për veteranët e luftës.

“ Grupi parlamentar i LDK-së, nuk do të votojë rishikimin e buxhetit për këto arsye. T’i ritheksoj dhe njëherë. Për shkak të heqjes së mjeteve për autostradën e Gjilanit. Për shkak të heqjes së mjeteve nga fondi i sigurimeve shëndetësore dhe për shkak se kanë degraduar moralisht veteranët e vërtetë, të luftës, duke shtuar numrin e tyre, për një votë më shumë politike dhe partiake”, tha ai.

Ndërsa Dardan Molliqaj nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se buxheti i Kosovës nuk është dy miliardë euro.

“Pra është jo serioze kjo qasje dhe si rezultat i përshtatjes së këtyre shpenzimeve buxheti i Kosovës nuk është më dy miliardë euro dhe kjo është shumë interesant çka ka ndodh sepse kemi PDK-në që ka qenë pjesë e dy qeverive, edhe me LDK-në edhe qeverisë sot që është prapë me AAK-në dhe tjerët. I njëjti subjekt politik ka thënë se buxheti është dy miliardë euro dhe i njëjti po thotë sot buxheti nuk është dy miliardë euro. Pra kjo është e vërteta, a e kanë pasur gabim atëherë a tash, është mirë të vendoset cila është e vërteta”, tha Molliqaj.

Molliqaj tha se kjo mënyrë e buxhetimit dhe ndarjeve po rezulton me mos zhvillim ekonomik për vendin.

Deputetja e PDK-së Safete Hadërgjonaj tha se i vlerëson përmirësimet që janë bërë që ky buxhet të kthehet në shifrat reale.

“Prandaj ne i vlerësojmë përmirësimet që janë bërë që ky buxhet të kthehet në shifrat reale. Nëse shikojmë me kujdes projektligjin për plotësim ndryshimin e buxhetit vërejmë se nuk kemi ndryshim tek të hyrat, me rishikim vërehet se janë rishikuar 1 miliard e 725 milionë për çka me gëzon fakti se ka një përformancë tek realizimi i të hyrave qoftë në ATK qoftë në Doganë. Kurse shpenzimet me këtë rishikim vërehet se janë zvogëluar në 1. 801 miliard, pasi janë hequr nga buxheti shifrat fiktive të planifikuara në buxhet për të arritur shifrën 2 miliardë euro tek shpenzimet, për çka kemi paraqitur shqetësime në fund të vitit të kaluar”, tha Hadërgjonaj.

Deputeti Enver Hoti, tha se Grupi parlamentar i Nismës për Kosovën, do ta votojë rishikimin e buxhetit, i cili sipas tij po kthehet me këmbë në tokë. Ndërsa u bëri thirrje dhe deputetëve të partive tjera, që ta votojnë atë.

“ Grupi parlamentar Nisma për Kosovën, e ka trajtuar me kujdes propozimin e Qeverisë për Projektligjin dhe plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për buxhet dhe na vjen mirë që po kthehet buxheti me këmbë në tokë. Sepse qysh në miratim të buxhetit vitin e kaluar, kemi pasur dilemat tona se ai 2 miliardëshi ka qenë i pabazuar dhe i pamundshëm me u realizu. Prandaj dhe do ta mbështesim gjithsesi. Sa i përket temave lidhur me sigurimet shëndetësore, mendoj që asnjëherë Qeveria e kaluar dhe ministri i kaluar, nuk kanë pasur qasje serioze në realizimin e këtij premtimi. Të gjitha ato tjerat mund të jenë në kuadër të retorikës. Por një qëndrim serioz dhe praktik dhe të argumentuar se ka pasur asnjëherë. Për Pagesat e veteranët e luftës, këtu na obligon ligji bazik dhe nuk duhet të nxjerrët as si dilemë kjo çështje, për të mos u miratuar këto plotësim ndryshime të ligjit”, tha ai.

Ndaj këtyre deklaratave të deputetëve të opozitës ka reaguar ministri i Financave Bedri Hamza ku sipas tij buxheti real është 1 miliard 810 milionë euro.

“Sa I përket agjeicive të cilat merren me inkasimin e të hyrave, në këtë rast Dogana e Kosovës ku presim që ta plotëson planin e të hyrave, ATK ndoshta me ndonjë ngecje, por do të jetë shumë afër planit, ndërsa disa të hyra që nuk kanë ndonjë ndikim shumë të madh në pozicionet të cilat i përmenda siç është dividenta prej PTK-së nuk presim që të sillet këtë vit. Prandaj, rishikimi është përqendruar vetëm në anën e shpenzimeve buxhetore. Duke u bazuar në një proces real të rishikimit kemi reviduar vlerën totale të shpenzimeve në 1 miliardë e 810 milionë euro. Nga vlera origjinale prej 2 miliardë, ndërsa të hyrat buxhetore planifikohen 1 miliardë e 725 milionë, shkurtimin e shpenzimeve e kemi ndërmarrë duke u bazuar në probalitetin shumë të ulët të votimit të në kuvend dhe shpalljes së ligjit për AKP-në në gazetë zyrtare brenda këtij viti fiskal”, tha Hamza.

Debati për rishikim të buxhetit është duke vazhduar./KosovaPress/