Aktuale

Rinia e AAK me fushat kundër demarkacionit

Rinia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, javën që vjen fillon një fushatë të re sensibilizimi për kundërshtimin e Demarkacionit me Malin e Zi, me moton “Deputetë mbrojeni sovranitetin e shtetit sepse ky është betimi i juaj”.

Kështu thuhet në një komunikatë të AAK-së, ku sqarohet se në një varg aktivitetesh do të provohet që qytetarët e Kosovës t’u kërkojnë llogari deputetëve dhe njëkohësisht t’u kërkohet që ata ta mbrojnë betimin e dhënë se do ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës.

“Demarkacioni është bërë temë nacionale dhe në muajn e fundit janë shtuar deputetët edhe nga radhët e Pozitës që janë deklaruar kundër marrëveshjes së Demarkacionit. AAK që nga fillimi ka qenë sponsorizuese e kundërshtimit të kësaj marrëveshjeje, edhe pse në fillim ajo ishte akuzuar se gjithë këtë po e bënë për përfitime politike”, thuhet në komunikatë.

AAK vlerëson se kjo çështje i kapërcen agjendat partiake, dhe tashmë Demarkacioni me Malin e zi u përket të gjithë qytetarëve e jo disa komisioneve ultra politike.

Sipas AAK-së, demarkacioni duhet të rikthehet n ë pikën fillestare sepse nuk bëhet fjalë për ndarje kadastrale të komunave, por fjala është për kufirin shtetëror, që përcaktohet vetëm një herë. /KosovaPress/