Ministria e Bujqësisë do të vazhdojë përkrahjen e sektorit të produkteve jodrusore të malit.
Përmes investimeve në këtë sektor, MBPZHR-ja synon shtimin e prodhimtarisë dhe vlerës së këtyre prodhimeve.
Kështu është shprehur ministri i MBPZHR-së, Nenad Rikalo, gjatë vizitës që i ka bërë sot kompanisë për grumbullimin dhe përpunimin e produkteve jodrusore, “Agroprodukt Syne”, në komunën e Istogut.
Me këtë rast, ministri Rikalo tha se në kuadër të programeve mbështetëse të ministrisë kanë paraparë masa të shumta përkrahëse edhe për agrobizneset, të cilat merren me grumbullimin dhe përpunimin e produkteve jodrusore.
Përmes granteve investive për këtë sektor do të mundësojnë që agrobizneset të zgjerojnë veprimtaritë e tyre prodhuese dhe përpunuese, gjë që do të ndikojë edhe në rritjen e prodhimit bujqësor në vend e bashkë me këtë edhe në ndryshimin e bilancit tregtar.
Në anën tjetër, pronari i kompanisë “Agroprodukt Syne”, Halit Avdijaj, ka treguar se mbështetja e ministrisë përmes granteve investive po ndikon në shtimin e prodhimtarisë në këtë sektor.
Ndryshe, Kosova vlerësohet se zonat malore i ka tejet të pasura me bimë jodrusore dhe fruta të malit.