Aktuale

Riformatizimi i Qeverisë – Edita Tahiri se di nëse do të mbetet pa pozitën e Ministres

Sot u paralajmërua nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, se brenda këtij muaji do të fillojë procesi i riformatimit të Qeverisë dhe një nga emrat e përfolur të ministrive që do të shuhen është Ministria për Dialog. Por, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se nuk ka dijeni në lidhje me këto paralajmërime, shkruan Gazeta Express.

Ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri, është shprehur për Gazetën Express se nuk është në dijeni që në kuadër të riformatimit të Qeverisë do të shuhet Ministria që ajo drejton. Ajo paralajmëron se nëse ndodh një shuarje e mundshme e Ministrisë, do të dalë me një qëndrim publik për këtë çështje.

“Nuk kam informacione zyrtare për procesin e riformatimit, përveç nga mediat. Në momentin kur do të kem njoftime zyrtare nga partneri i koalicionit PDK, do të bëj publik qëndrimin tim dhe të partisë sime Alternativa Demokratike e Kosovës – ADK”, tha Tahiri.

Sot në një intervistë të kryeministrit Mustafa u paralajmërua që këtë muaj do të fillojë riformatizimi i qeverisë.

Deri më tash emrat që janë përmendur se do të largohen nga Qeveria janë: Edita Tahiri, Skender Hyseni, Blerand Stavileci e Valon Murati. Mirëpo, ende konkretisht nuk ka asgjë në këtë drejtim./Gazeta Express.