Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Kosova edhe vitin që vjen rrezikon të mbetet pa liberalizim të vizave , në rast se nuk ratifikohet marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Këto deklarata Mustafa i ka bërë gjatë mbledhjes së rregullt të Qeverisë. Mustafa lidhur me këtë çështje ka propozuar që nëse ka nevojë të formohet një komision i cili do të bëjë vlerësimin e territorit të Kosovës duke i përfshirë edhe ekspertë të caktuar të opozitës.
“Çështja themelore tani mbetet tek ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. BE insiston edhe më tutje që ne ta përmbushim edhe këtë në mënyrë që sa me kohë ta kapërcejmë këtë fazë shumë të rëndësishme të liberalizimit të vizave . Është shumë e qartë që në qoftë se hymë edhe vitin e ardhshëm , gjasat që ne këtë ta arrimë vitin e ardhshëm nuk janë aq të mëdha. Mund të them tani se nuk ekzistojnë fare. Mirëpo rrezikojmë edhe mjaft shumë … Bëj apel Kuvendit edhe deputetëve të Republikës së Kosovës që të bashkohen në këtë dhe të përfundojnë edhe këtë kritere i cili shtrohet para nesh. Në qoftë se ka nevojë ne mundemi si Qeveri me themeluar edhe Komisionin i cili do ta bënte matjen e sipërfaqes së Kosovës. Në të vërtetë në bazë të vendimit të Komisionit për caktimin e vijës kufitare se sa kilometra katrorë i ka Kosova dh e a është zvogëluar sipërfaqja e Republikës së Kosovës . Duke kërkuar edhe prej opozitës do të japin edhe ata ekspertë . Sepse mbesim edhe para opinionit ndoshta borxhlinjtë që ta njohin opinionin lidhur me të dhënat ekzakte për territorin e Republikës së Kosovës“, tha Mustafa.
Qeveria po ashtu ka miratuar sot edhe kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për riaktualizimin e Komisionit Qeveritar, për shqyrtimin e aplikacioneve të mbetura lidhur me statusin e Dëshmorit të Kombit të UÇK-së. Këtë kërkesë e ka arsyetuar , zëvendëskryeministri , Hajredin Kuçi, i cili tha se janë edhe 100 aplikacione për të cilat do të bëhet verifikimi.
“Zyra e Kryeministrit ka marrë një kërkesë nga presidenti i Republikës së Kosovës në nëntor të këtij viti , me qëllim që të shqyrtohen edhe disa aplikacione të mbetura lidhur me statusin e dëshmorëve të kombit të UÇK-së . Supozohet që mund të jenë rreth 100 aplikacione, të cilat janë ende të pa shqyrtuar dhe kërkohet që Komisioni qeveritare për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorëve të kombit , invalidëve dhe veteranëve , dhe pjesëtareve të internuarit të UÇK-së, të ketë mundësi ti shqyrtojë këto . Në konsultim me kryeministrin kemi ardhur në përfundim që ky Komision mund të riaktualizohet për këtë çështje dhe deri më datën 23 dhjetor të vitit 2016, nga e cila kohë besoj do të mund të përfundoj besoj mjaftueshme punën e mbetur “, tha Kuçi.
Ndërsa, Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme , pasi ka raportuar për vizitat e fundit . Ai po ashtu ka thënë se janë duke lobuar anë e mbanë botës për të rritur numrin njohjeve.
“Aktualisht janë 112 vende që e kanë njohtë Kosovën në masë kritike numri të numrit të njohjeve për neve është numri 120 ose 130 njohje . Meqë kjo ka të bëjë në anëtarësimin tonë në organizata të ndryshme ndërkombëtare nëse ne do ta kemi këtë numër prej 120-130 njohje janë dy të tretat e shteteve anëtare të OKB-së , mandej nëse gjatë vitit të ardhshëm do të aplikojmë ne Interpol dhe UNESKO , do të kemi numër të mjaftueshëm të votave . “, tha Hoxhaj.
Po ashtu Qeveria ka miratuar edhe kredinë nga BERZH, ku 24 milionë euro mjete do të merren për fondin e depozitave. Gjatë kësaj mbledhje, qeveria e ka miratuar propozim vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për autoritetin rregullativ të komunikimeve elektronike dhe postare lidhur me obligimet që dalin për implementimin e marrëveshjes së Telekomunikacionit, bazuar në marrëveshjen e Brukselit. Qeveria i ka ndarë 20 mijë euro . Po ashtu është shqyrtuar edhe projekt statute për fondin e sigurimeve shëndetësore. /KP