Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se partia e tij e mbështet në mënyrë unanime miratimin e Rezolutës për gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
“Më lejoni që në emër të LDK-së t’i jap përkrahje kësaj projektrezolute. Duke renditur së pari konventat ndërkombëtare që janë miratuar për parandalimin e krimit dhe gjenocidit. Ajo çka na ka bashkuar për të kryer një obligim të cilin institucionet e Kosovës nuk kanë arritur që 20 vite ta sjellë një rezolutë të tillë”, ka thënë Zemaj.
Ai thotë se një ndër objektivat e Serbisë është edhe shpërbërja e institucioneve politike e sociale.
“Sapo pak të jetë një thirrje për të gjithë që keqpërdorin, minimizojnë krimet e kryera në vitet e 90-ta dhe duhet sa më pak fjalë e sa më shumë vepra dënimin e te gjithëve atyre që kanë kryer këto krime. LDK-ja gjithashtu ka dhënë një propozim me atë që quhet gjenocid. Një ndër objektivat e Serbisë është edhe shpërbërja e institucioneve politike e sociale”, ka thënë Zemaj.
Përkrahje kësaj rezolute i ka dhënë edhe Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se do të votojnë pro saj.
Deputeti i LVV-së, Sami Kurteshi, theksoi se në tekstin e rezolutës janë marrë parasysh të gjitha dokumentet kryesore ndërkombëtare që kanë të bëjnë edhe me të drejtat e njeriut edhe me të drejtën humanitare.
“Teksti i rezolutës i referohet të gjitha raporteve ekzistuese ndërkombëtare, të gjitha niveleve edhe të OKB-së edhe evropiane që kanë të bëjnë me çështjen e krimit të gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Prandaj, në emër të grupit parlamentar të Vetëvendosjes theksoi se e përkrah dhe do ta votojë këtë tekst të kësaj rezolute”, tha Kurteshi.
Kurteshi paraqiti edhe disa vërejtje që tha se janë teknike dhe nuk e prekun substancën e rezolutës. Prandaj, ai kërkoi që disa ndryshime të bëhen pas seancës.
Edhe deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, ka thënë se edhe deputetët e partisë së saj do ta përkrahin rezolutën./FaktePlus