Gjykata franceze e dënoi sot revistën “People Closer” me 100.000 euro, të cilat do t’i paguajë princit William dhe bashkëshortes së tij Kate, për publikimin e fotove topless të dukeshës në vitin 2012.
Kryeredaktorja dhe botuesi i ”Closer” u dënuan secili me një dënim maksimal prej 45 000 euro gjobë nga ana e gjykatës penale.
Dukesha dhe bashkëshorti i saj, William, i dytë në radhë në rendin e drejtimit të fronit britanik, kanë përfituar secili më shumë se 50 000 euro dëmshpërblim plus interesa.
Ata kishin kërkuar në total 1,5 milionë euro.
Të gjithë personat e akuzuar u shpallën fajtorë për cenim të privatësisë dhe jetës bashkëshortore.
“Vendimi, kryesisht në lidhje me dëmin e shkaktuar është në përputhje me ligjin”, komentoi avokati i revistës “People”, Paul-Albert Iweins, duke e përgëzuar këtë vendim nga ana e tij.