Për disa muaj ushtroi pozitën e drejtorit të Ujësjellësit Prishtina dhe ky post i mundësoi që të njeh më shumë gjëra jo të mira si dhe të mësojë modelin e qeverisjes së mirë.
Selatin Retkoceri, është njëri nga kandidatët për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili synon që të fitojë votat nga komuna e tij dhe më gjerë në mënyrë që siç thotë ai ta ndihmojë Lëvizjen por edhe vendin në avancimin sidomos të ekonomisë.
Retkoceri në një intervistë për KosovaPress sqaron edhe arsyet pse iu bashkua Lëvizjes, parti kjo që sipas tij do të dal fituese në zgjedhjet e 11 qershorit.
“Unë mendoj, modelin e qeverisjes së mirë, modelin se si qeveriset një komunë, më e madhja e që është barabartë me një qeveri, e kemi në qeverisjen e Komunës së Prishtinës. Andaj, duke parë angazhimin, punën e madhe që ka bërë kjo komunë dhe kryetari Shpend Ahmeti, unë kam qenë disi i motivuar të bashkëngjitëm në vizionin e Vetëvendosjes, alternativën qeverisëse e cila është më e mira krahasuar me partitë e tjera që deri dje kanë qeverisur vendin”, tha Retkoceri.
Si ekonomist i diplomuar Retkoceri thotë se nëse zgjidhet deputet në Kuvendin e Kosovës kontributi i tij më i madh do të jetë në zhvillimin ekonomik, por edhe në arsim dhe shëndetësi, pasi që për shtatë vjet ka punuar si profesor në Lipjan.
Retkoceri është i bindur se programi i Vetëvendosjes është më i miri nga partitë tjera.
Sipas tij nga 40 pikat që ka programi i Vetëvendosjes në 20 prej tyre mund ta jap kontributin e tij. Ai ndalet te njëra pikë që është Fondi Sovran.
“Ky fond Sovran, fond që do t’i takojë sovranit popull. Në mandatin e parë, në vitin e parë të qeverisjes të Vetëvendosjes, ky fond do të ketë 200 milionë euro. Sigurisht edhe publiku mund të thotë, ku do t’i merr Vetëvendosja 200 milion euro? E thjeshtë, e lehtë. Me një vit menaxhim të mirë të buxhetit te Kosovës, me ndaljet e korrupsionit të madh që bëhet në tenderët e autostradave dhe projekteve të mëdha, mund t’i kursejë 200 milionë euro. Vetëm një orientim i mirë I buxhetit, një shpërndarje e mirë e buxhetit 200 milionë do të ndahen në fondin Sovran dhe ky fond do t’iu ndahet qytetarëve, bujqve, industrialistëve, bizneseve të vogla, të mesme dhe të mëdha, dhe atë pa interes. Normal, do të jetë një kredi, një dhënie në formë kredie, por është shumë e rëndësishme që biznesmenët, bujqit, të cilët kanë vendosur të investojnë në industrinë përpunuese, në bujqësi, do të kenë mundësi të shfrytëzojnë këtë fond afatgjatë të kthimit dhe pa interes. Si lloj huaje, por pa interes, por jo siç veprojnë bankat komerciale në Kosovë, të cilat, unë them lirisht se kanë shkatërruar bazën financiare, kanë shkatërruar bizneset e Kosovës”, thotë Retkoceri.
Duke qenë se ka punuar për 5 vjet në ujësjellës premton se do të jap të gjithë ekspertizën e tij në sistemin e ujitjes.
“Unë duke punuar 5 vjet në ujësjellës, kam përfituar një përvojë të madhe në menaxhim të ujërave dhe kam shfletuar shumë projekte të viteve të 90-ta e edhe më të hershme, të viteve të 80-ta e 74-ta, kur ka qenë një sistem i quajtur “Ibër-Lepenc”, i cili asnjëherë nuk është finalizuar, ka mbetur në gjysmë dhe mosfinalizimi i atij projekti është dështimi më I madh që I ka ndodhë Kosovës. Do të interesohemi që rezervat e Kosovës, rezervat e ujit, pishinat, pendët, të ndërtohen sipas atij projekti , i cili është i vjetër, por është bërë nga ekspertë eminentë të Kosovës të cilët kanë pasur vizion në atë kohë deri sa në vitet e pasluftës ne kemi shkatërruar gjithçka, këta udhëheqësit kanë shkatërruar gjithçka”, thotë Retkoceri.
Kandidati i VV-së që është edhe kryetari Qendrës për Lipjanin thotë se qeverisja e Vetëvendosjes nuk do t’i japë subvencione pronarit të tokës por bujkut që e punon atë.
“Bujqësia ndihmohet direkt në bujkun, pa marrë parasysh a e ka një hektarë tokë apo e ka marrë tokën me qira, apo prej kujt e ka marrë, nuk do ta merr subvencionin qiradhënësi por do ta merr bujku dhe blegtori dhe ai që e punon atë tokë”, thotë kandidati për deputet.
Retkoceri premton edhe mbrojtjen e produkteve vendore dhe vënien e taksave shtesë për produktet që vijnë nga Turqia dhe Maqedonia.
Këtë e sqaron me mundësinë e financimit të biznesmenëve për ruajtjen e prodhimeve nëpër frigoriferë si dhe vënien e barrierave për vendet që eksportojnë në Kosovë.
Retkoceri ka edhe zgjidhje për ujin, i cili sipas tij në Kosovë është i papijshëm.
Me Qeverinë e Vetëvendosjes Retkoceri thotë se do të ndërtohen fabrikat për trajtimin e ujërave të zeza. Retkoceri për fund apelon tek populli e sidomos te rinia se e ka rastin më 11 qershor ta votojë partinë e cila në rend të parë e ka interesin e popullit e jo atë personal.
Selatin Retkoceri është në listën e Vetëvendosjes dhe garon me numrin 65./KosovaPress/