Në katërvjetorin e themelimit të Nismës Socialdemokrate, moderatori i njohur i lajmeve, Resul Sinani, është prezantuar zyrtarisht si pjesë e kësaj partie.Në fjalimin e tij, gazetari Resul Sinani tha se kurrë nuk është ndier më i emocionuar.
“Në profesionin e derimbrëmshëm kam udhëhequr shumë ngjarje jam duartrokitur, por këto duartrokitje sonte janë shumë më ndryshe. Janë duartrokitje të mikpritjes. Ju faleminderit”, tha Sinani.
Ai tha se nuk kishte dashur të shkruaj fjalim për sonte. “Por, i jam bashkuar Nismës me qëllim që ta shkruaj së bashku me të tjerët të ardhmen e kësaj partie”.
Sinani u shpreh se bora i ka sjellë gjithmonë fat. “Natën kur jam martuar ka qenë minus 22 gradë C. Nga ajo natë kam tre fëmijë. Shpresoj që edhe Nisma me mua të trefishohet”, tha tashmë ish-gazetari.
Në mesin e rreth 40 personaliteteve që iu bashkuan sot Nismës është dhe Jeton Svirca, ish-deputet i Partisë së Drejtësisë.