Aktuale

Reshjet e ditëve të fundit kanë mundur të shkaktojnë shpërthim në KEK (Foto)

Reshjet e dendura të shiut që ranë në vend, mesnatën mes të martës dhe të mërkurën, kanë mundur të jenë fatale për Korporatën Energjetike të Kosovës dhe punëtoret e saj. Vërshimet që u shkaktuan në Obiliq kishin arritur të depërtonin dhe në zonën e Termocentralit “Kosova A”. Depot dhe stacioni i naftës ishin mbushur me ujë, por fatmirësisht vërshimet nuk patën kontakt me ndonjë elektromotor apo dollap me aparaturë energjetike.

Sikur uji i vërshimeve të arrinte nivelin që prekte dollapët elektrikë apo ndonjë elektromotor, pasojat do të mundë të ishin fatale, pasi do të mundë të shkaktohej ndonjë shpërthim i fuqishëm energjetik. Kështu e përshkruajnë gjendjen e vërshimeve të një dite më parë punëtorët e Termocentralit “Kosova A”.

Zona e deponive të mjeteve dhe aparaturave që nuk janë ende në funksion, mëngjesin e djeshëm e kishin vërshuar ujërat që erdhën pas shirave të dendura që pati në dy ditët e kaluara, pothuajse në të gjithë vendin.

Gjendja në termocentral, të mërkurën në mëngjes

Punëtorët e KEK-ut treguan, të enjtjen, gjatë vizitës që bëri Gazeta Express në Termocentralin “Kosova A”, se ata kishin intervenuar shpejt për të larguar ujin e vërshimeve me pompa nga zona e këtij termocentrali, duke shpëtuar nga ndonjë e keqe e madhe, apo shpërthim i fuqishëm që ka mundur të vijë në rast se uji do të arrinte në nivelin sa të ketë kontakt me dollapët elektrikë apo elektromotorët që prodhojnë apo akumulojnë energji.

Në ndihmë atyre u erdhi edhe ekipi i zjarrfikësve që është në dispozicion për KEK-un.

Dëmet që u shkaktuan nga vërshimet, sipas punëtorëve, janë materiale. Pasi uji që ka depërtuar në depo të termocentralit ka mundur të dëmtojë aparaturat të cilat ende nuk ishin futur në përdorim.

Gjendja në termocentral, të mërkurën në mëngjes

Për vërshimet ka folur për Gazetën Express, të enjten, edhe drejtori i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në KEK, Skënder Bucolli.

“Vërshimeve në Kosovë nuk u shpëtoi lehtë as Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), mirëpo falë angazhimit maksimal të punëtorëve të KEK-ut, nuk ka pasur asnjë efekt sa i përket prodhimit të energjisë elektrike”, tha ai.

Bucolli tregoi se prodhimi ka vazhduar normalisht, përkundër gjendjes së djeshme.

“KEK edhe gjatë këtyre ditëve është duke prodhuar sipas planit, duke respektuar procedurat operuese dhe obligimet kontraktuale me përpikëri”, tregoi Bucolli për Gazetën Express.

Gjendja në termocentral, të mërkurën në mëngjes

Për më tepër, ai tha se punëtorët e KEK-ut në këtë gjendje emergjente kanë ndihmuar dhe kanë dalë në ndihmë edhe banorëve të fshatin Dardhishtë – vend prej të cilit kishin rrjedhur vërshimet për shkak të daljes së lumenjve nga shtrati dhe bllokimi të kanaleve të ujit.

“Në njërën lagje të fshatit Dardhishtë kemi pastruar kanalet nga mbeturinat dhe mund të them se me sukses e kemi evituar mundësinë e vërshimeve, ndërsa në një lagje tjetër kemi intervenuar në pastrimin e kanaleve nga mbeturinat dhe ngushticat dhe nuk kemi lejuar rritjen e nivelit të ujit deri në largimin e sasisë më të madhe”, tregoi zyrtari i KEK-ut, Skender Bucolli.

Intervenimi i punëtorëve të KEK’ut në fshatin Dardhishtë të Obiliqit, të mërkurën

Ndryshe, gjendja një ditë pas vërshimeve në Termocentralin “Kosova A” i është kthyer normalitetit. Për të evituar vërshime të ngjashme në termocentral, punëtorët kanë rrethuar me dhe zonat që paraqesin rrezik në rast se sërish uji depërton në hapësirat e KEK-ut. /M.Gj./GazetaExpress/.

Gjendja në termocentral, të enjten – një ditë pas vërshimeve
Gjendja në depot e termocentralit, të enjten – një ditë pas vërshimeve
Gjendja në termocentral, të enjten – një ditë pas vërshimeve | Dheu që u shtrua për të parandaluar hyrjen e ujit në mekanizma energjikë