Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka thënë sot se në bashkëpunim me komunën e Ferizajt do të angazhohet në realizimin e projekteve të përbashkëta në mbrojtjen dhe funksionalizimin e bifurkacionit në Ferizaj.
Ajo tha se në asnjë mënyre nuk do të lejojë dëmtimin e vlerave unike që ka ky fenomen natyror dhe se do të investojë në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe funksionalizimin e plotë të tij.
Reshitaj këto komente i bëri me rastin e vizitës në bifurkacionin në Ferizaj dhe shpellën e Gadimes në Lipjan, me ç‘rast shpalosi prioritetet dhe planet për të ardhmen sa i përket këtyre dy monumenteve natyrore me rëndësi të veçantë.
Ajo tha se shpella e Gadimes është vlerë e veçantë turistike që tërheq shumë vizitorë nga vendi dhe bota, andaj MMPH-ja do të angazhohet në ruajtjen e saj dhe nuk do të lejojë dëmtimin eventual.
“Prioritet i imi është hulumtimi i korridoreve dhe galerive të reja të shpellës, zgjerimi i saj, modernizimi, zgjerimi i liqenit dhe krijimi i qendrës turistike duke investuar në rregullimin e infrastrukturës, në mënyrë që qytetaret e kësaj anë të punësohen, duke iu ofruar turisteve produkte tradicionale, artizanale dhe kulturore”, ka thënë ministrja Reshitaj.