Aktuale

Reshitaj-Klosi konkretizojnë projektet e përbashkëta

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit të Shqipërisë Blendi Klosi, ka pritur sot në takim ministren e MMPH-së, Albena Reshitaj, me të cilën ka biseduar rreth sfidave dhe projekteve të përbashkëta në fushën e mjedisit, duke konfirmuar nënshkrimin e projekteve të përbashkëta në mbledhjen e ardhshme midis dy qeverive.

Ministri Klosi deklaroi që qytetarët andej dhe këtej Alpeve duhet të kenë mundësi të kuptojnë që ky është një mjedis i përbashkët, natyrë e përbashkët, është prona e kombit shqiptar e cila duhet të mbrohet, ndihmohet dhe mbështetet nga e gjithë qytetaria jonë.

Nga ana tjetër ministrja Reshitaj konfirmoi qëllimin e përbashkët për mbrojtjen e natyrës dhe shëndetit të qytetareve, duke vlerësua se mjedisi, natyra dhe ajri nuk njohin kufij, andaj kujdesi për mjedisin në përgjithësi është kujdes edhe për historinë, identitetin dhe trashëgiminë tonë të përbashkët.

“Duke qenë dy vende që kemi shumë resurse natyrore, të cilat meritojnë të studiohen, promovohen, mbrohen dhe t’iu jepet trajtim institucional përmes investimeve dhe projekteve të përbashkëta, ne do të punojmë në mënyrë dinamike në këto vlera, sidomos në zhvillimin e turizmit dhe menaxhimin e zonës ndërkufitare Kosovë-Shqipëri”, tha ministrja Reshitaj.

Në fund të takimit të dy ministrat vendosën që së bashku të realizojnë një standardizim të leje mjedisore për problematikat e mëdha që kanë të bëjnë me ndotësit më të mëdhenj të mjedisit.

Palët u takuan vetëm pak javë para mbledhjes së përbashkët midis qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikë së Kosovës më 27 nëntor.