Rajon & Botë

Rëndohet situata në Britani, 873 të vdekur nga koronavirusi për 24 orë

Numri ditor i viktimave të koronavirusit në Britaninë e Madhe ka shënuar rritje të konsiderueshme. Gjatë 24 orëve të kaluara, në këtë shtet u regjistruan 873 viktima dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve shkoi në 17,408.

Shifra e sotme është gati dyfish më e madhe se numri i viktimave që u raportua të hënën – 449, ndërsa të dielën u raportuan 596 raste fatale.

Vetëm në Angli u shënuan 778 të vdekur, në Skoci 70 dhe në Uells 25 viktima. Irlanda Veriore ende nuk i ka publikuar shifrat më të reja, shkruan “Metro UK”, transmeton Gazeta Express.

Është me rëndësi të theksohet se në këto shifra përfshihen vetëm vdekjet që kanë ndodhur në spitale, por jo edhe ato që kanë ndodhur në shtëpitë për kujdesin ndaj të moshuarve apo në ndonjë vend tjetër.

Shifrat e reja u publikuan pasi u raportua se numri i vërtetë i viktimave të koronavirusit në Britaninë e Madhe mund të jetë 41 për qind më i lartë se ai që po publikohet zyrtarisht nga institucionet.

Britania e Madhe është ndër vendet më të prekura nga koronavirusi në Evropë, bashkë me Italinë, Spanjën, Francën dhe Gjermaninë.

the authorGazetaKNN