Kryetari i Nderit i Odes Ekonomike Gjermane, Remzi Ejupi ka takuar në Gjermani Ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit të Brazilit, Blairo Maggi, me të cilin ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit të vendit tonë dhe Brazilit; si një prej fuqive më të mëdha botërore.
Në një bisedë për Express, biznesmeni Ejupi thotë se është shumë i kënaqur për gatishmërinë e Ministrit Maggi për të vizituar Kosovën dhe për të parë mundësitë e bashkëpunimit.
Një prej vendeve më të rëndësishme ekonomike të botës, Brazili, duket se është i interesuar për të parë mundësitë e bashkëpunimit me vendin tonë – sidomos në fushën e bujqësisë.
Biznesmeni kosovar, Remzi Ejupi, i cili njëherësh është ish-Kryetar i Odës Ekonomike Gjermane dhe njëherësh Kryetar Nderi i saj, ka takuar këto ditë në Koln të Gjermanisë Ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit të vendit amerikano-latin, Blairo Maggi.
Ejupi, në një bisedë për Express, thotë se është ndarë shumë i kënaqur nga ky takim.
“Ne e informuam Ministrin për mundësitë që ofron Kosova në fushën e Bujqësisë dhe i kërkuam atij që të shoh mundësitë e bashkëpunimin me ne”, tha Ejupi për Express.
“Ai ishte shumë i interesuar dhe i gatshëm për të bërë hapa konkret në këtë drejtim”.
Sipas Ejupit, Ministri Maggi premtoi se shumë shpejt do ta dërgojë një ekip të ekspertëve në Kosovë për ta vlerësuar situatën dhe për të parë pikat se ku mund të bashkëpunohet.
Brazili, aktualisht, është një prej fuqive më të mëdha ekonomike në botë. Veçanërisht ky shtet latino-amerikan është një prej gjigandëve në fushën e bujqësisë.
“Unë besoj se Kosova ka çfarë të bashkëpunojë me Brazilin, sidomos në fushën e bujqësisë; sektor ky i lënë anash tradicionalisht në Kosovë”, tha Remzi Ejupi.
Ai thotë se me Ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit të Brazilit kanë biseduar edhe për faktin se ky vend ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“Ministri tha se kjo nuk paraqet problem për bashkëpunim mes dy vendeve, ndërkohë që shfaqi bindjen se mosnjohja e deritashme është sigurisht për shkak të largësisë së dy vendeve, do të thotë se kanë munguar kontaktet”, tha Ejupi.