Kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane, deputeti Artan Grubi, ka pritur sot në takim pune ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka me të cilin biseduan rreth situatës politike në vend dhe rajon, reformat sistemore, si dhe për integrimin euroatlantik të Maqedonisë.
Deputeti Grubi shprehu bindjen që tashmë Tirana mund të marrë datën për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa shprehu pritjet që në fund të këtij viti, Brukseli zyrtar të rikthejë rekomandimin e pakushtëzuar për Maqedoninë.
Ambasadori Reka shprehu mbështetje të plotë për aspiratat integruese të Maqedonisë dhe si vend fqinj, anëtar i NATO-s, do të mbështesë rrugën e Shkupit drejt Brukselit.
Deputeti Grubi gjithashtu foli rreth aktiviteteve në Kuvend si dhe detyrat e Komisionit për Çështje Evropiane në drejtim të adresimit urgjent të reformave.
Në këtë drejtim, Grubi shprehu kënaqësinë që Komisioni njëzëri dhe me pajtueshmëri të plotë miratoi konkluzën që Kuvendi të sjellë deklaratë për përshpejtim të proceseve reformuese dhe integruese për anëtarësim të Maqedonisë në BE që paraqet shtyllë dhe pikënisje të reformave.
Ndryshe, në takim është biseduar edhe për marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe për zbatimin e përpiktë të Marrëveshjes së Ohrit në përputhje me kushtetutën e vendit në drejtim të barazisë gjuhësore.