Aktuale

Regjistrimi pa gjoba i veturave, nuk ka afat të caktuar

Pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për heqjen e gjobave për shkak të vonesës të regjistrimit të automjeteve, vetëm në javën e parë të janarit janë regjistruar mbi 8 mijë automjete.

Udhëheqësi i sektorit për regjistrimin e automjeteve, Xhavit Gubetini thotë se ky vendim nuk ka ndonjë afat të caktuar, dhe sipas tij gjatë ditëve në vijim pritet që fluksi i qytetarëve të jetë edhe më i madh.Ligji i ri për automjete precizon procedurat e regjistrimit bashkë me disa ndryshime që janë bërë në të. Një nga to është edhe vendimi për faljen e gjobave për shkak të vonesave me rastin e regjistrimit të automjeteve.

Udhëheqësi i Sektorit të Regjistrimit Xhavit Gubetini tha për Radio Kosovën se ky vendim është duke u zbatuar dhe se nuk është i kufizuar në kohë.“ Të gjithë qytetarët të cilët kanë automjete të pa regjistruara që kanë mbetur një kohë të gjatë nuk paguajnë taksa dhe gjoba”, tha ai.Gubetini sqaron se neni 44 i ligjit për automjete ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti dhe ndalon importimin e automjeteve më të vjetra se 10 vjet dhe se ato duhet të përmbushin standardin euro4.

Ai shtoi se ndryshime ka edhe sa i përket procedurave me rastin e ndërrimit të pronarit të automjetit.“Me rastet e ndërrimit të pronësisë më herët procedura ka qenë që ka qenë valide edhe kontrolli teknik edhe regjistrimi ,mirëpo tash me nenin 63 në rast shitblerjes së automjetit pronari i vjetër duhet ta ç’lajmëroj automjetin dhe pronari i ri duhet ta regjistroj atë duke paguar te gjitha taksat”, tha Gubetini.Sa i përket këtyre procedurave të reja drejtuesit e automjeteve thonë se nuk kane pasur ndonjë problem gjatë regjistrimit apo ndërrimit të pronarit të makinës.Mjetet që grumbullohen nga taksat e regjistrimit shkojnë në Buxhetin e vendit, ndërkaq ato për sigurim i marrin kompanitë e sigurimeve.Fatos Krasniqi zyrtarë në Kompaninë Sigal thotë se sipas procedurave mjetet e mbetura të sigurimit i kthehen pronarit paraprak.“Kur bëhet ndërrimi i pronarit të automjetit nëse ka afat sigurimi primi i mbetur i kthehet pronarit të vjetër që ka qenë në sigurim”, thotë ai.Vendimi për regjistrimin e të gjitha llojeve të automjeteve, pa paguar gjobë, deri më tani ka rezultuar me mbi 8 mijë automjete të regjistruara.