Ndonëse në forma të ndryshme dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, po kërkojnë një qeveri të re për përfaqësimin e Kosovës në procesin e dialogut. Por partitë e koalicionit qeverisës, larg idesë për një qeveri të re, i bëjnë thirrje opozitës të bëhet pjesë e Delegacionit aktual Shtetëror për Dialogun me Serbinë.
Ndërsa deputeti i koalicionit qeverisës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, në një përgjigje për “Zërin” hodhi poshtë kërkesën e partive opozitare për zgjedhje. Ai u shpreh se ende nuk është vonë që LDK-ja e LVV-ja t’i bashkohen Delegacionit Shtetëror për bisedime me Serbinë.
“Kërkesa që të shkohet në zgjedhje e pastaj në njëfarë mënyre të krijohet ekipi për bisedime me Serbinë është kërkesë ekskluzivisht politike dhe ka të bëjë vetëm me interesat e ngushta politike, por jo me interesat e Kosovës. Është shumë e domosdoshme që partitë opozitare të bashkohen dhe edhe tash nuk është vonë, meqë ende nuk ka filluar faza finale e bisedimeve me Serbinë, që të jenë të kyçura drejtpërsëdrejti në dialog”, ka thënë Reçica.
Duke i bërë thirrje LDK-së e LVV-së që t’i bashkohen dialogut, ai u shpreh se është e çuditshme se si këto dy parti nuk kanë pranuar të jenë pjesë e këtij procesi mbi të cilin qëndron Kuvendi i Kosovës.
“Do të doja që dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje, të jenë pjesë aktive e gjithëpërfshirëse në procesin e dialogut me Serbinë. Është për t’u çuditur që ato nuk kanë pranuar të jenë pjesë në këtë proces, duke pasur parasysh që me Ligjin për Delegacionin Shtetëror dhe Platformën, i cili është votuar në Kuvend, Kuvendi e merr rolin kyç dhe primatin në këtë proces, gjë të cilën ato e kanë kërkuar në vazhdimësi. Edhe ekipi negociator pa këto dy parti politike normalisht se nuk e ka fuqinë që do të mundë ta kishte po të ishin pjesëmarrëse LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Reçica.