Aktuale

Reagon Albin Kurti, i kërkon SHBA-së ta ndalë Serbinë ose shqyrton situatën

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka reaguar pas lajmit se edhe një shtet e ka tërhequr njohjen për shtetin e Kosovës.

Zyrtarët serb po vazhdojnë lobimin e tyre në shtetet që e kanë njohur e po tentojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se shteti i fundit që ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës është Sierra Leone, përcjell FaktePlus.

Ai këtë e ka bërë të ditur sot, pasi që është edhe duke qëndruar për vizitë zyrtare në këtë shtet.

E ndaj kësaj ka pasur reagime të shumta nga Kosova. Fillimisht ishte Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, e tash ka reaguar edhe vetë kryeministri Albin Kurti.

Ai tha se vullnetin e tij të mirë, për heqjen e pjesshme të tarifës në lëndën e parë që importohet nga Serbia, në mënyrë që të krijohen kushtet për rifillim të dialogut dhe të ndërtimit të marrëdhënieve konstruktive të bashkëpunimit, qeveria serbe po i përgjigjet me intensifikim të fushatës së ç’njohjeve së pavarësisë së Kosovës.

Kurti tha se i bën thirrje Serbisë zyrtare që ta ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj.

“Po ashtu, do të kërkoj nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, në radhë të parë ShBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës”, ka thënë Kurti.

Në këtë rast, Kurti ka treguar e ka vullnetin për marrëdhënie korrekte e normale me Serbinë.

“Mirëpo nuk mund të lejojmë që ky vullnet i yni të nëpërkëmbet. Si kryeministër i Kosovës do të shqyrtoj me kujdes situatën e krijuar dhe do të veproj konform interesave të Republikës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Kurti.