Sot pritet që në Prokurorinë Speciale Publike (PSP) të paraqitet kryetari i komunës Qendër të Shkupit, Andrej Zhernovski, i cili do të dëshmojë për trysnitë ndaj tij dhe për shkatërrimin e objektit të komunës.
Bëhet fjalë për shuplakat e porositura ndaj Zhernovskit dhe demolimin objektit të komunës.
Siç dëgjohej në “bombat” e opozitës, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, gjatë një bisede telefonike me ish-ministrin e Transportit Mile Janakievski, merren vesh për organizimin e një proteste para komunës Qendër kundër rrënimit të një kishe. Sipas planit, pjesëmarrësit në protesta duhej të hynin në sallën e Këshillit dhe para të gjithë këshilltarëve dhe mediave ta godasin me shuplaka kryetarin e komunës Qendër.
Për vandalizmin dhe demolimin e komunës, Zhernovski disa herë ka kërkuar përgjegjësi për autorët, por deri tani asnjëri prej tyre nuk është identifikuar nga policia dhe nuk është sanksionuar.
