Aktuale

Rastet që rezultuan pozitivë mbrëmë me COVID- 19 në Prizren, pacientë të hemodializës dhe familjarë të të infektuarve

5 raste të reja me COVID-19 u shënuan mbrëmjen e së hënës në Prizren. Megjithatë nga atje kishte edhe një lajm të mirë, u shëruan 12 persona që ishin konfirmuar më herët me koronavirus. Ndërkohë sot dhe gjatë ditëve në vijim do të testohen edhe kontaktet e personave që rezultuan pozitivë me COVID-19 nga kjo komunë

58 persona janë konfirmuar me COVID-19 deri më tani në komunën e Prizrenit. Nga ta, 15 janë shëruar ndërkaq 1 ka vdekur.

Tashmë janë 42 persona nga Prizreni të cilët po përballen me koronavirusin.

Drejtori i Shëndetësisë në Prizren, Visar Shehu, ka thënë për Express se dy nga pesë personat që u konfirmuan me COVID-19 të hënën, janë raste të kontaktit me të prekurit e mëhershëm, ndërkaq tre të tjerët janë pacientë të hemodializës.

“Nga rastet që u konfirmuan mbrëmë dy janë familjarë të personave që kanë rezultuar pozitivë më herët, ndërkaq tre janë pacientë të hemodializës”, ka treguar Shehu.

Shehu theksoi se gjatë ditës së sotme janë marrë mostrat e personave të cilët dyshohet se kanë pasur kontakt me të prekurit me COVID-19, dhe se pritet që të testohen.

“Janë marrë mostra, disa pritet të testohen sot ndërkaq disa të tjerë gjatë ditëve në vijim”, ka thënë Shehu.

Ai ka theksuar se të hënën kanë dalë rezultatet e 15 mostrave që ishin marrë për ritestim, dhe nga to 12 persona kanë rezultuar negativë.

“Janë ritestuar 15 persona. 12 prej tyre kanë rezultuar negativë në testime, pra janë sdhëruar. Ndërkaq 3 oprej tyre fatkeqësisht kanë dalë pozitivë, mbesin ende të prekur me COVID-19”, tha Shehu.

Shehu theksoi se QKMF’të e Prizrenit momentalisht janë të furnizuara me materiale shpenzuese.

Shehu tha se masat e vëna nga Qeveria po respektohen, megjithatë ai shtoi se kur ka raste të mosrepsketimit të tyre, po merren masa nga shërbimi policor.

Ndërkohë, numri i personave të konfirmuar me COVID-19 në Kosovë tashmë ka shkuar në 780.

Nga ta tashmë janë shëruar 201, ndërkaq kanë vdekur 22 persona.

Bazuar në masat e reja të vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, por do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill. 

the authorGazetaKNN