Aktuale

Rashiti: Partitë të gjejnë zgjidhje këtë muaj ose liberalizimi do të shtyhet

Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, për rreth dy muaj është në përpjekje të lehtësimit të tryezave të bisedimeve ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës për gjetjen e zgjidhjeve rreth disa proceseve politike, përfshirë edhe çështjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

“Ka pasur shumë përafrime rreth deklaratës për çështjen e Demarkacionit. Kjo është një lloj deklarate e përafruar me dialogun politik”, thotë Rashiti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Ndoshta ky është momenti më i mirë, më i volitshëm që ka pasur ndonjëherë, për të marrë liberalizimin e vizave. Shtyrja do ta shtynte shumë gjatë liberalizimin e vizave…pesimizmi, frustrimi i qytetarëve do të rritej”, thekson Rashiti.

“Ky dialog ka filluar në muajin mars dhe në platformën e tij ka shumë tema të rëndësishme për vendin. Me demarkacion jemi marrë sepse ishte tema kyçe e këtij viti dhe duheshin përpjekje për të provuar dhe harmonizuar qëndrimet rreth demarkacionit, për ta bërë apo përmbyllur marrëveshjen e demarkacionit, pasi që ishte kusht edhe për liberalizimin e vizave”.