Aktuale

Raportohet për mungesë të komisionerëve në tetë vendvotime

Koalicioni për Integritet Zgjedhor ka mbajtur një konferencë për media në Drenas, nga ku edhe po monitorojnë zgjedhjet për të parin e komunës, ku ka njoftuar lidhur me fillimin e procesit zgjedhor në Drenas.

Artan Canhasi, nga KIZ, tha se te gjitha qendrat e vendvotimit janë hapur me kohë, me përjashtim të katër vendvotimeve, të cilat kanë filluar me vonese diku prej 20 minutave.

 

“Sipas të dhënave të monitoruesit të koalicionit të gjitha vendvotimet janë hapur ne kohë me përjashtim të 4 vendvotimeve që janë hapur me vonesë prej 10 deri 20 minutave. Qysh në start po shihet se ka përmirësim nga ajo që ka qenë dy javë me herët, për shkak se dy javë me herët kemi pasur vonesa më të mëdha. Tash po shihet se të gjitha vendvotimet kanë filluar me kohë, me një vonesë që është e papërfillshme. Është vërejtur se ka mungesë të komisionerëve në disa vendvotime. Vëzhguesit e koalicionit kanë identifikuar mungesat e komisinerëve në 8 vendvotime”, tha ai.

Canhasi i KIZ tha se është evidentuar edhe mungesë e materialit të votuesve sipas alfabetit brajal, në disa qendra të votimit.

Nga të gjeturat e KIZ bëhet e ditur se në shkollën “Bajram Curri”, në Nekoc, administratorët e qendrës e kanë bllokuar pjerrinën për qasje të personave me aftësi të kufizuar dhe ky veprim përbën shkelje duke i penguar ata që ta realizojnë të drejtën tyre. Andaj KIZ i bënë thirrje KQZ-së që t’i plotësojë këshillat e vendvotimit me anëtarët e domosdoshëm për të vazhduar procesi zgjedhor si dhe të rregulloi hyrjen e qytetarëve me aftësi të kufizuara. Canhasi po ashtu tha se është vërejtur dhe material propagandues nga PDK në një qendër te votimit. Andaj ai i bëri thirrje KQZ së që të veproj dhe ta largoj këtë material nga qendrat e votimit.

 

“Janë vërejtur që ka materiale propaganduese të PDK-së në afërsi të qendrave të votimit. Në një rast të caktuar shihet stemat e partive që janë të vendosura në oborrin e shkollës. Kjo është në fshatin Poklek në shkollën “Fehmi Lladroci”, është vërejtur se ka material propagandues në afërsi. Edhe për këtë i bëjmë thirrje KQZ së që të marrë masa, të shkojë sa më shpejtë dhe ta largoi atë material propagandues nga kjo qendër e votimit”, tha përfaqësuesi i KIZ.