Policia e Kosovës ka lansuar sot dokumentin strategjik “Vlerësimi i kërcënimit nga krimet e rënda dhe krimi i organizuar”- SOCTA (Serious Organized Crime Threat Assesment), nga Policia e Kosovës dhe Policia e shtetit shqiptar.
Në këtë raport janë prezantuar të dhënat në Kosovë dhe Shqipëri lidhur me të dhënat për krimin e organizuar, sekuestrimin e lëndëve narkotike, trafikimi me qenie njerëzore, korrupsioni, vrasjet dhe tentimvrasjet.
Në raportin ku përfshihet periudha prej vitit 2012 deri në vitin 2015 shihet se edhe në Kosovë por edhe në Shqipëri ka pasur rënie të këtyre veprave të rënda penale.
Në prezantimin e raportit përveç zyrtarëve të lartë të Policisë së Kosovës kanë marrë pjesë edhe zyrtarë nga Policia e Shtetit të Shqipërisë, nga Europol-i dhe OSBE-ja.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës Naim Rexha tha se duke iu referuar dokumentit SOCTA, dy Policitë do të profesinalizohen në të ardhmen.
Ai tha se me anë të këtij dokumenti do të krijohet një ambient më i sigurt për qytetarët e Kosovës.
‘’Dokumenti SOCTA paraqet vlerësimin e kërcënimit të trendeve aktuale dhe atyre të reja të pritura të krimeve të rënda dhe krimit të organizuar dhe përmban vlerësime të detajuara lidhur me format më të theksuara të krimit të organizuar dhe të krimeve të rënda , përfshirë kërcënimet e përgjithshme të sigurisë së ekonomisë , shoqërisë por edhe individëve në përgjithësi… Duke iu referuar raportit te SOCTA-së do të investohet në potencialin tonë që do të profesionalizohemi në vazhdimësi, duke synuar të arriturat maksimale për të krijuar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të Republikës se Shqipërisë dhe të gjithë atyre të cilët në çfarëdo kohe dhe për çfarëdo ngjarje do të gjinden në vendet tona përkatëse’’, tha Rexha.
Për drejtorin e Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda të Policisë shqiptare Ardian Cipa, vlera më e madhe e këtij projekti është bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me atë të Shqipërisë.
‘’Policia e shtetit shqiptar prej vitit 2014 ka filluar hartimin e këtij dokumenti SOCTA kombëtare, por ky projekt nëpërmjet të gjitha fazat e zhvillimit ka përfshirë një grand të gjerë të veprimtarisë sikurse janë trajnimet, këshillimet me partnerët me një përvojë më të gjatë të hartimit dhe inpementimit të këtij raporti, nëpërmjet vizitave studimore duke shkëmbyer eksperienca me vendet me përvojë në këtë drejtim. Vlera më e madhe e këtij projekti janë bashkëpunimi i dy analistëve të të dy Policive, për hartimin e raportit të përbashkët duke identifikuar risitë dhe sfidat e përbashkëta mes dy vendeve. Krimi i organizuar është një fenomen dinamik kompleks dhe mbetet gjithnjë një kërcënim për sigurinë e dy vendeve , gjithashtu për mirëqenien e qytetarëve të dy vendeve”, tha Cipa.
Marise Chureau, nga ekipi për analiza strategjike Europol, tha se të gjithë duhet të koordinohen në mënyrë që të ndalohen krimet e organizuara që sipas saj po e kërcënojnë paqen e vendeve të rajonit.
“Krimi i rëndë dhe i organizuar është një fenomen dinamik dhe kompleks në rritje. Grupet kriminale adaptohen shpejt me ndryshimet në ambient, në shoqëri, dhe ne si ruajtës së rendit dhe vendimmarrës duhet të jemi të gatshëm me përgjigje adekuate. Krimi nuk ndalon në kufij, ka me qindra forma të krimit kështu që ne duhet të koordinohemi dhe t’i dimë prioritetet tona. Për ta bërë këtë ne duhet ta kemi të qartë se çka e kërcënon paqen cilat janë caqet kryesore dhe pikat e nxehta”, tha Chureua.
Shefi i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu tha se raporti SOCTA është rezultat i një aktiviteti të gjatë i cili është ndërmarrë bashkërisht nga Policia e Kosovës dhe policia Shtetërore e Shqipërisë me ndihmën e misionit të OSBE-së, Europolit dhe të tjerëve.
Dokumenti SOCTA të cilin e ka prezantuar drejtori i Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës Riza Shillova tregon se sipas të dhënave policore si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë mbi sekuestrimin e lëndëve narkotike gjatë vitit 2015 vërehet një rënie drastike e sasisë së heroinës së sekuestruar.
Në Shqipëri në vitin 2012 janë sekuestruar 88 kg heroinë, në vitin 2013 janë sekuestruar 47,3 kg. Kurse, në vitin 2014 janë sekuestruar 73,5kg, në vitin 2015 janë sekuestruar 36.9 kg.
Në Kosovë në vitin 2012 janë sekuestruar 94.1 kg heroin, në vitin 2013 janë sekuestruar 22.4 kg heroin, në vitin 2014 janë sekuestruara 9.6kg heroin, dhe në vitin 2015 janë sekuestruar 9.6kg heroin.
Vendet ku sigurohet heroina sipas raportit janë Turqia, Bullgaria dhe Maqedonia, ndërsa rrugët e transportit nga këto vende për në Shqipëri dhe Kosovë shfaqin një diversitet të madh.
Heroina e cila gjendet në Shqipëri dhe Kosovë, kryesisht është destinuar për tregun e jashtëm për në vendet e BE-së, por një sasi e vogël e saj është e destinuar për konsum të brendshëm.
Për periudhën 2014-2015 janë evidencuar 274 raste të trafikimit të qenieve njerëzore, 50 përqind e të cilave janë evidencuar në Kosovë dhe 50 përqind në Shqipëri. Krahasuar me vitet e kaluara në të dyja shtetet është evidencuar rritje prej 8 përqind.
Në bazë të raportit për korrupsion të publikuar të organizatës “Transparency International”, për vitin 2015, Shqipëria renditet në vendin e 88-të në botë nga vendi i 110 që ishte në vitin 2014. Kurse Kosova për vitin 2015 renditet në vendin e 103-të në botë nga vendi 110 që ishte në vitin 2014
Gjatë periudhës periudhës 2014-2015, ka rënie të vrasjeve në të dy shtetet. Në Shqipëri paraqitet rënie me 32 përqind ndërsa në Kosovë ka rënie me 17.5 përqind. /KP