Në dy numrat e kaluar u njohëm me letrën e plotë dërguar ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, në datën 14 nëntor 1974, nga shkrimtari ‘anonim’, i cili denonconte një grup kolegësh të tij shkrimtarë si: Teodor Laço, Sabri Godo, Sotir Andoni, Dhori Qirjazi, Faslli Haliti, Koçi Petriti, Moikom Zeqo, Frederik Rreshpja, Roland Gjoza, Flora Mollaymeri etj., duke i akuzuar ata për vepra me përmbajtje armiqësore dhe gjithashtu për problemet biografike.
Pas kësaj letre, e cila vuri në alarm strukturat më të larta të shtetit e partisë, u dhanë orientimet përkatëse për të mbledhur të dhëna dhe verifikuar e sqaruar çdo gjë që ngrinte autori i letrës për kolegët e tij. Gjë me të cilën na njeh dokumenti që po botojmë më poshtë në këtë pjesë të këtij dossier-i, ku raporti i Sigurimit të Shtetit jep të dhëna te reja për gjithsecilin nga shkrimtarët e akuzuar. Një raport pak a shumë i kësaj natyre është hartuar dhe nga sektori përkatës në Komitetin Qendror të PPSHsë, ku Jakup Mato u ka përcjellë eprorëve të tij gjithç- ka ata kanë kërkuar.
Po ashtu, krahas këtyre raport-informacioneve, në shkrimin e mëposhtëm po publikojmë dhe raportin e Drejtorisë së Botimeve dhe Bibliotekave, ku janë dhënë mendime për librat e autorëve të akuzuar në letrën për ministrin Kadri Hazbiu. Të tri dokumentet që cituam më lart publikohen të plotë dhe pa asnjë shkurtim.
INFORMACIONI I SIGURIMIT TË SHTETIT PËR SHKRIMTARËT, QË DENONCOHEN NË LETRËN PËR KADRI HAZBIUN
SEKRET
Ekzemplar, Nr.1
Tiranë më 5.12.1974.
Informacion Lidhur me problemet që ngrihen në letrën e ……, nga verifikimi që i bëmë rezulton se çështjet e ngritura prej tij në përgjithësi qëndrojnë dhe, megjithëse janë të njohura nga ana e institucioneve të artit e të kulturës, kemi mendimin se përsëri meritojnë e duhen parë. Së pari: lidhur me disa persona që përmenden në letër, që janë me biografi jo të mirë e janë anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve, rezulton: Sotir Andoni është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, i dënuar për tentativë arratisjeje, ka qenë në lidhje të ngushtë me Todi Lubonjën, me përkrahjen e të cilit doli në krijimtari të lirë.
Pas Plenumit të IV u dërgua në fshat për riedukim. Teodor Laço nga Korça, kunat i Sotir Andonit, anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve. Ka pasur babanë në Amerikë, aktualisht ka hallat. Nga korrespondenca me to del se merr vazhdimisht dollarë dhe u kërkon edhe rroba, përfshi këto edhe të vjetra po të jenë. Ka qenë përkrahës i veprave të Fadil Paçramit nëpërmjet shkrimeve të tij në organet letrare i ka ngritur lart ato. Është sjellë në Tiranë me rekomandim të Todi Lubonjës.
Gjatë vitit 1974 ka botuar novelën “Ditë dhe natë që mund të vijnë”, e cila ka nuanca të teorisë armiqësore të “rrëshqitjes” është lidhje e Vaskë Gjinos. Koçi Petriti, arsimtar në Librazhd, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, është me prejardhje të keqe politike. Flora Mollaymeri, me prejardhje jo të mirë politike, njihet si femër me prirje moderniste. Me rekomandimin e Todi Lubonjës ka mbaruar shkollën e u kërkua nga gazeta “Drita”.
Pas Plenumit të IV u kritikua dhe u dërgua në Korçë. Aktualisht është arsimtare në këtë rreth. Roland Gjoza, student në Gjuhë-Letërsi. Është këshilluar nga organet tona, mbasi implikohej me një grup të rinjsh për veprimtari armiqësore, i kritikuar për krijimet e tij para Plenumit të IV. Faslli Haliti, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, autor i poemës “Dielli e Rrëket”, e cila u kritikua rëndë lidhur me përmbajtjen e saj shumë të dobët nga ana ideologjike, gjë për të cilën Faslliu u çua në prodhim për riedukim.
Së dyti, për sa i përket botimit të disa veprave të huaja ose tonat, këto i takojnë periudhës para Plenumit të IV të K.Q., dhe disa nga këto janë të disa viteve edhe më parë, siç bëhet fjalë p.sh. për veprën e Sabri Godos, “Fushata”, e vitit 1963, e cila nuk është lejuar për të qarkulluar. Lidhur me sa më sipër kemi mendimin se: Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, mbase ka vend për ta shikuar përbërjen klasore të disa anëtarëve të saj mbasi, përveç personave të mësipërm, ka edhe elementë të tjerë me përmbajtje të keqe politike, me pjesëtarë familjeje të dënuar për krime të rënda kundër shtetit, ose të arratisur jashtë siç janë: Robert Petro Ndrenika (aktor i teatrit) Dhori Qiriazi, Ymer Rustem Skënderi, Sadik Osman Kaceli, Ramadan Sokoli etj.
Në këtë drejtim po të shikohet e arsyeshme lidhur me ruajtjen e pastërtisë së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve mund të ndihmonim edhe ne si organ dhe mbase vetë kryesia duhet të shikojë në të ardhmen më me rigorozitet pranimin në lidhje të anëtarëve të saj. Për veprat me dobësi ideore si rregull nuk bëhet një analizë e thellë dhe e gjithanshme me autorët e tyre, por mjaftohen vetëm me qëndrimin që mbajnë kritikët nëpërmjet shkrimeve në gazetën “Drita” e “Nëntori”.
Ndoshta do të ishte më e drejtë një analizë nga kolektivi i lidhjes sipas gjinive përkatëse me krijuesit, duke u ndalur më hollësisht në të metat e dobësitë e veprave të tyre. Komitetet e Partisë për disa nga këto krijues mbajnë një qëndrim më të avancuar (siç janë rastet ndaj Faslli Halitit në Lushnjë, Frederik Kreshnjës në Shkodër, Sotir Andonit në Korçë, të cilët janë çuar për riedukim në prodhim), ndërsa kryesia e Lidhjes pa rakorduar me rrethet i vlerëson dhe i aktivizon si anëtarë të Lidhjes.
Kryetari i Degës VIII (……………….)
INFORMACION PËR LETRËN E SHOKUT …….
Në letrën që i drejtohet shokut Kadri Hazbiu nga ……… ngrihen një sërë problemesh për mjaft autorë dhe vepra letrare. Sa morëm letrën, ne thirrëm shokë të Ministrisë e të Lidhjes e i porositëm të shqyrtonin disa probleme që u takonin atyre (si analiza e veprave letrare) dhe ndoqëm disa probleme të tjera. Për të konkluduar për këto çështje ishte një punë e ndërlikuar dhe e gjatë, prandaj informimin po e bëjmë tani që përgjithësisht problemeve që ngrihen deri diku u është dhënë zgjidhje.
Së pari, bëhet vërejtje për një sërë autorësh, të cilët nuk kanë përbërje klasore të mirë, dhe u është dhënë e drejta e botimit. Përmenden Koçi Petriti, Dhori Qiriazi, Sotir Andoni, Klito Fundo, Koço Ristani, Flora Mollaymeri, Teodor Laço, Gjergj Zheji, Roland Gjoza, Faslli Haliti, Niko Dako etj. “Teodor Laço të largohet nga aparati i Lidhjes. Ai tani është transferuar në Fier”. Duke u nisur edhe nga të dhënat e tjera, u porosit Lidhja që Teodor Laço të largohej nga aparati i Lidhjes. Ai tani është transferuar në Fier. Për novelën e gabuar “Ditë dhe net që mund të vijnë”, u bë diskutim në kolektivin e Lidhjes dhe u botua një shkrim në gazetën “Drita”, ku ai u kritikua ashpër.
Ai bëri autokritikë. Krijimtaria e tij pas Plenumit IV, veç kësaj novele, ka qenë e mirë. Në bazë të të dhënave që kemi pasur deri tani për Dhori Qiriazin dhe Sotir Andonin nga Komiteti i Partisë i Korçës, është folur për gabimet e tij. Por deri tani nuk është bërë ndonjë veprim për qenien e tyre si anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Për Dhorin, me kërkesën tonë ditët e fundit nga Komiteti i Partisë së Kolonjës, na ka ardhur një shkresë në të cilën midis të tjerave thuhet se në diskutimet që janë bërë pas Plenumeve të fundit në rreth janë shfaqur mendime që të mos jetë anëtar.
Por propozim konkret Lidhjes së Shkrimtarëve ose KQ të PPSH-së nuk i është bërë nga komitete të Partisë për asnjërin. Frederik Reshpja për të cilin bëhet fjalë në letër është goditur. Sipas rregullave të caktuara për të gjithë autorët, me përjashtim të atyre që njihen mirë para se t’u publikohet vepra, merret pëlqimi i rrethit.
Kështu është vepruar dhe për disa autorë që përmenden në letër, si Klito Fundo, Roland Gjoza, Niko Dako etj. Ata nuk janë anëtarë të Lidhjes dhe me përjashtimin të R. Gjozës, nuk janë as të rrezikshëm, prandaj ne nuk e kemi ndjekur në mënyrë të veçantë.
“SI R. NDRENIKA, S. KACELI, R. SOKOLI, I. SKËNDERI, F. HALITI, KA DHE TË TJERË, PO I SHIKOJMË”.
R. Gjoza sivjet mbaroi Universitetin. Ai është këshilluar nga organet e Punëve të Brendshme se implikohej me disa të rinj me përmbajtje armiqësore, është kritikuar dhe për ndonjë krijim, por nga sa dimë ne, nuk është i deklasuar. Çështjen e tij po e shikojmë se s’kemi mundur ta sqarojmë deri në fund. Për Flora Mollaymerin kemi biseduar me Komitetin e Partisë të Korçës, ta shikojë e të njoftojë ç’qëndrim duhet mbajtur ndaj saj. Ajo është mësuese dhe kandidate e Lidhjes.
Autori i letrës bën vërejtje edhe për disa shkrimtarë të tjerë, si Gjergj Zheji, Koçi Petriti, Koço Ristani. Me sa jemi në dijeni, ata kanë ndonjë të metë, por në tërësi është quajtur e arsyeshme që ata të krijojnë e publikojnë. Megjithatë, nga sektori i kuadrit të aparatit të KQ të Partisë, rretheve u janë kërkuar të dhëna për tërë shkrimtarët e artistët e rretheve, anëtarët e Lidhjes, me qëllim që të shikohet më mirë përbërja klasore dhe qëndrimi i tyre. Ne bashkë me shokët e kuadrit jemi duke i shikuar të dhënat që kemi në tërësi për tërë anëtarët dhe do të nxjerrim problemet që dalin.
Në Tiranë, gjatë diskutimeve që u bënë për luftën kundër burokratizimit u pa edhe një herë përbërja klasore e disa kuadrove dhe janë marrë masa që gradualisht e sipas rastit të lëvizin nga institucionet qendrore artistike, por për qenien ose jo anëtarë të Lidhjes, nuk është ngritur ndonjë problem. Në informacionin e MPB-së përmenden autorë si Robert Ndrenika, Sadik Kaceli, Ramadan Sokoli, Imer Skënderi dhe Faslli Haliti. Të tillë mund të ketë edhe të tjerë, të cilët po i shikojmë konkretisht. Për disa nga këta kemi shkëmbyer mendime dhe me komitetet e Partisë së rretheve, të cilat janë duke i shikuar. Pasi të bëjnë propozime, komitetet e Partisë do të marrin masa për qenien e tyre në Lidhje.
“FASLLI HALITI ËSHTË ÇUAR NË FSHAT PËR RIEDUKIM, ÇËSHTJEN E ROLAND GJOZËS PO E NDJEKIM “
Faslli Haliti është çuar në fshat për riedukim dhe nuk ka botuar gjë në shtyp, por atij nuk i është hequr e drejta e botimit përgjithmonë. Në rrethin e vet deri tani i është ekspozuar vetëm ndonjë vepër në pikturë. Imer Skënderi është parashikuar të largohej nga Instituti i Arteve, por ai vdiq para ca kohësh.
Së dyti, për veprat që kritikohen pasi u shqyrtuan nga ana e Ministrisë, ndonëse me shumë zvarritje, kohët e fundit u konkludua që: A- “Pranvera e madhe”, “I vogli e mund të madhin”, “Shënime të shkruara natën”, vepra të Sotir Andonit, si dhe “Qeni i verdhë”, letërsi e huaj, të hiqen nga qarkullimi. Ato do të ngelen në bibliotekë në vende të rezervuara. B- Veprat e F. Reshpes janë hequr nga qarkullimi.
Po ashtu janë hequr nga qarkullimi që më parë libri i Sabri Godos “Zëra nga burime të nxehta” dhe libri i përkthyer “Tre veta në barkë”. Libri i Teodor Laços “Ajri i ftohtë” ka edhe ndonjë tregim me kufizime dhe merret shumë me aspekte negative, por ndaj tyre autori mban qëndrim, prandaj si nga Ministria e Lidhja mendohet që të mos hiqet nga qarkullimi, por të bëhen kritika më të forta në shtyp. Për librin e R. Gjozës “Mozaik”, të botuar disa vite më parë, mendohet që tani për tani të mos hiqet nga qarkullimi deri sa të sqarohet në tërësi çështja e tij, ndonëse në vëllim ka disa momente që përbëjnë gabime ose lënë shteg për keqkuptime.
Theksojmë se Ministria menjëherë pas studimit që po i bën literaturës politiko-shoqërore që nga çlirimi e deri më sot, do të shqyrtojë dhe literaturën artistike për të konkluduar mbi veprat që do të hiqen nga qarkullimi. Ne i kemi sugjeruar të shikojnë me preçedencë dhe disa vepra të tjera, për të cilat në letër bëhen vërejtje. (Vdekje në anije, poezi nga Kosova etj). Për veprat e pabotuara me dobësi ideore, diskutohet në redaksi, konkluzionet i janë paraqitur dhe aparatit të KQ.
Ne kemi porositur disa rrethe të diskutojnë për krijimet e dobëta me autorët. Në fakt, në këtë drejtim punën duhet ta ndjekim më mirë dhe ne. Nga letra dalin shumë probleme, por shihet se autori i saj, shoku …… herë-herë, me vërejtje që bën, kalon në ekstremitet, gjë për të cilën iu bënë vërejtje dhe në diskutimin që bëri në seminarin kombëtar për problemet e punës kulturore në ushtri, në Durrës.
27. XI. 1975. (Jakup Mato)
/PERGATITI PER PANORAMA: DASHNOR KALOÇI/