Kompania prestigjioze e analizës financiare “Moody’s” në raportin e vet më të fundit për Shqipërinë, ka vlerësuar se mundësitë për hapjen e negociatave zyrtare për anëtarësimin në Bashkimin Evropian janë rritur.
Kompania prestigjioze e analizës financiare “Moody’s” në raportin e vet më të fundit për Shqipërinë, ka vlerësuar se mundësitë për hapjen e negociatave zyrtare për anëtarësimin në Bashkimin Evropian janë rritur. Këtë argument kompania “Moody’s” e ka mbështetur në një deklaratë të lëshuar nga BE-ja gjatë këtij muaji, sipas të cilës BE-ja i njohu Shqipërisë vrullin e reformave, në veçanti miratimin e reformës në drejtësi.
NDIKIMI I BE-SË
“Moody’s” analizon se anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të ketë një ndikim pozitiv në financat e vendit, duke qenë se do të thellohen lidhjet ekzistuese tregtare me vendet e BE-së, do të rriten investimet, si edhe vendi do të mund të përfitojë nga fondet e mëdha të BE-së, duke i ndihmuar zhvillimit ekonomik Nga ana tjetër “Moody’s” nënvizon se duke qenë në BE, Shqipëria do të përfitojë nga mbikëqyrja e strukturave fiskale të BE-së. “Moody’s” shpjegon se një nga këto struktura është edhe Procedura e Deficit të Tepërt (Excessive Deficit Procedure shkurt EDP). Kjo ‘mbikëqyrje’ që vjen si rezultat i anëtarësimit në BE, kompania “Moody’s” e komenton se do të përmirësoje ndjeshëm financat publike të Shqipërisë, të cilat kompania i cilëson si historikisht të luhatshme.
EDP
EDP vihet në veprim në vendet e Bashkimit Evropian për të mbajtur borxhin publik në kufirin maksimal prej 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe për të mbajtur deficitin fiskal në kufirin maksimal prej 3% të PBB-së (këto kufij janë përcaktuar me Nenin 126 të Traktatit të Funksionimit të Bashkimit Evropian) . EDP-ja vihet në veprim kur një vend i BE-së nuk arrin të përparojë dot në objektivat e lartpërmendura të treguesve ekonomikë. Ky mekanizëm do ta ndihmonte Shqipërinë pasi, nëse do t’i referoheshim shifrave të “Moody’s”, është një vend, që nga viti 2006 e deri në vitin 2016, borxhin publik e ka pasur vazhdimisht më të lartë se 60% e PBB-së si edhe deficitin fiskal më të lartë se 3% e PBB-së.
VLERËSIMI I “MOODY’S”
Në raportin më të fundit të këtij viti, Kompania Moody’s i ka vlerësuar financat e Shqipërisë me notën B1 të qëndrueshme. Ashtu si në rastin e vlerësimit të Shqipërisë nga “Standard and Poor’s: me notën B+, edhe vlerësimi B1 i “Moody’s”, ka përafërsisht të njëjtën domethënie: financat e Shqipërisë nuk janë as shumë keq por as edhe shumë mirë. Faktorët që kanë ndikuar pozitivisht në vlerësimin e Shqipërisë me notën B1 nga “Moody’s” janë: 1. marrja e statusit te vendit kandidat për anëtarësim në BE; 2. progresi i arritur në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga qeveria dhe konsolidimi fiskal; 3. qëndrueshmëria e theksuar e çmimeve; 4. ardhja e investimeve të huaja nga projekte të mëdha investimesh.
Ndërkaq për “Moody’s” sfidat në financat e Shqipërisë janë:
1. përkeqësimi i parametrave fiskalë;
2. një strukturë financimi e brendshme e dobët, edhe pse ka pasur përmirësime;
3. fuqi institucionale e dobët, që ka të bëjë në veçanti me korrupsionin;
4. një numër i lartë i kredive së këqija. /Balkanweb