Aktuale

Raporti i Komisionit: Kosova nuk humbë territor

Qeveria e Kosovës ka miratuar raportin e Komisionit për matjen e territorit të Kosovës. Sipas këtij raporti Kosova ka 10 mijë e 905.25 kilometra katrorë. Kryetari i Komisionit Qeveritar për Matjen e Territorit, Hivzi Islami ka thënë se sipas të gjitha dokumenteve, Kosova nuk humbë asnjë metër katrorë. Edhe kryeministri Isa Mustafa e ka mbështetur këtë raport duke thënë se Kosova nuk humb territor me shënimin e vijës kufitare mes Kosovës e Malit të Zi.

Raportin para kabinetit qeveritar e ka prezantuar kryetari i Komisionit Hivzi Islami, i cili tha se madhësia e territorit të Kosovës është 10 mijë e 905.25 kilometra katrorë.

 

“Komisioni i bëri konkluzat për Qeverinë e Kosovës dhe erdhi deri të rezultati që e kumtuam atë ditë, dhe doli të jetë madhësia territoriale 10 mijë e 905.25 kilometra katrorë. Me Ahtisarin kemi një humbje aty rreth dy kilometra katrorë, në Debëllde dhe Restelicë, ndërsa në Dimce kemi fituar po janë pak hektar. Prandaj ta kemi ndërgjegjen e pastër dhe të fashitën emocionet, Kosova nuk humb asnjë metër katrorë, atë që e kemi pasur e kemi, padrejtësitë historike nuk mund t’i ndreqim, e dimë ato janë bërë në dëmin tonë, por ato i takojnë të kaluarës”, tha Islami.

Por, Islami pati mjaftë kritika për kundërshtuesit e demarkacionit, duke i quajtur ata injorantë mediokër, të cilët kanë keqpërdorur shkencën në shërbim të politikave ditore, raporton KosovaPress.

 

“Një nga bllokadat e jetës së përgjithshme u bënë kufijtë dhe madhësia territoriale e Kosovës, për të cilat tash e shumë dekada nuk u dëgjua asnjë zë i vetëm kundërshtues. Doli problemi brenda natës, po humbin territor. Injorantët dhe mediokrit e keqpërdorën shkencën dhe u vunë në shërbim, në funksion të një patriotizmi të rrejshëm dhe profiterëve politik. Ndërsa, dëmet mbetën të mëdha dhe afatgjate”, theksoi Islami.

Kryeakademiku kosovar tha se Komisioni që punoi me përkushtim të madh ishte plotësisht i pavarur, larg ndikimeve dhe animeve politike e partiake. Derisa, pati disa fjalë edhe për dy anëtarët e komisionit që dhanë dorëheqje në fund të procesit, të cilët janë kundërshtuesit me të zëshëm të marrëveshjes për demarkacionin mes Kosovës e Malit të Zi.

 

“Gjatë punës kishte dhe shantazhe ndaj anëtarëve, një i adresuar për të krijuar afera, e detyruan të jap dorëheqje kah fundi i operacionit, një tjetër një përfaqësie menaxheriale, gjithçka ishte në rregull por nuk e nënshkruante raportin. Komisioni nuk ka pasur mandat që të caktojë kufij të rinj, as markim as demarkim të tyre, por vetëm mbi bazë të vijave ekzistuese kufitare administrative dhe koordinatave me shtetet që kufizohet, ka bërë matjen e territorit të vet. Mendojmë se kemi kryer një detyrë me sukses, dinjitet, përgjegjësi të lartë profesionale dhe shkencore. E kemi bërë matjen e territorit tonë, jo matjen e territorit të huaj, siç bënë dy studentët e mi që ia futën barutin Kosovës”, theksoi akademiku Islami.

Raportin e ka mbështetur edhe kryeministri i vendit Isa Mustafa, i cili tha se me këtë raport vërtetohet se Kosova nuk humbë asnjë metër katrorë. Derisa ka shprehur besimin se me këtë hapet rruga për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

 

“Theksoj se vërtetë jam i lumtur që qëndrimet që ne kemi pasur nga departamenti i shtetit, vlerësimet nga komisioni ndërkombëtar i përcaktuar nga Presidentja Jahjaga, por edhe konkludimet e Komisionit shtetëror të mëparshëm, kanë përputhje të plotë me rezultatet e këtij raporti, të cilat janë faktogrtafike, e cila na jap të drejt të jemi të sigurt, se Kosova edhe për këtë gjeneratë edhe për gjeneratat e ardhme, mund të konfirmoj se nuk e ka humbur asnjë metër katrorë në shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi”, tha Mustafa.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj theksoi se raporti është kredibil dhe se mbi këtë territor Kosovën e kanë njohur 114 shtete.

 

“Me këtë territor, me këta kufij janë 114 vende që e kanë njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur me këtë territor, sikurse Kosova ka arritur të anëtarësohet në 50 organizata ndërkombëtare me këtë territor që e përshkruan, e analizon dhe e ka matur ky komision dhe është i përmbledhur në këtë raport”, tha Hoxhaj.

Mirëpo, zëvendësi i Mustafës, Haredin Kuçi pati kërkesë tjetër. Ai tha se para miratimit në Kuvend, duhet të arrihet një konsensus mes spektrit politik në vend.

 

“Ende duket se edhe ky raport nuk i ka hequr dilemat e njerëzve që janë të pozicionuar në njërën apo anën tjetër, qoftë bindje e tyre politike, personale, rajonale apo bindje tjetër. Nga ky këndvështrim ka nevojë që lidershipi i Kosovës t’i bëjë një angazhim shtesë për ndërtimin e një konsensusi nacional dhe në këtë drejtim në radhë të parë brenda koalicionit, por duket se këtu nuk mjafton koalicionit, por ka nevojë për konsensus tjetër politik, dhe do të thosha edhe me ata të partive tjera politike, por edhe me ata profesionist të caktuar dhe banorët lokal”, tha Kuçi.

Mbështetje i dha edhe kryeshefi i AKP-së Ekrem Hajdari, i cili tha se pronat e ndërmarrjeve që janë përgjatë brezit kufitar me Malin e Zi nuk prekën me marrëveshjen aktuale dhe të gjitha mbetën brenda Kosovës.

 

“Jam këtu sot edhe një herë para jush të konfirmoj se bazuar në shënimet kadastrale që i ka në pronësi AKP-ja, shënime këto të dhëna të bazuara në shënimet kadastrale të Kosovës të dhëna këto, mund të konfirmoj se pronat e ish ndërmarrjeve shoqërore përgjatë brezit kufitar me Malin e Zi nuk prekën fare nga procesi i shënimit të vijës kufitare. Kështu rezulton se pronat e të gjitha këtyre ndërmarrjeve mbesin në territorin e Kosovës”, tha Hajdari.

Edhe kryeshefi i Agjencionit të Pyjeve të Kosovës, Ahmet Zejnullahu tha se të dhënat që ata posedojnë me ato njësi që menaxhojnë aktualisht në pjesën nga Deçani deri në pjesën e Istogut nuk kanë asnjë pjesë që ka mbetur jashtë territorit të Kosovës nga demarkacioni i Kosovës./KosovaPress/