Aktuale

Raporti i OKB-së: Taksa rriti tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres në një raport të rregullt për Kosovën ka shprehur shqetësimin lidhur me tensionet në rritje midis Prishtinës dhe Beogradit.

Ai ka kërkuar nga krerët e të dyja vendeve që të përmbahen nga lëvizjet që mund të rrezikojnë më tej situatën në terren.

“Tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës kanë vazhduar të rriten dhe negativisht ndikojnë në mundësinë e dialogut produktiv”, thuhet mes tjerash në raportin tremujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për Kosovën.

Sipas tij, problemi më i madh në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë është taksa prej 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, e vendosur në nëntor nga autoritetet e Kosovës, transmeton Klan Kosova.

Guterres gjithashtu rikujtoi se taksa për Serbinë dhe Bosnjen është futur pas dështimit të Kosovës për të siguruar anëtarësimin në Interpol. Raporti i ri i OKB-së mbi Kosovën i është dorëzuar ambasadorëve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit në një kohë kur ende nuk dihet nëse Kosova do të jetë në rendin e ditës së mbajtjes së sesionit të veçantë për Kosovën, për shkak të kundërshtisë që ka ardhur nga vendet perëndimore.

the authorBurbuqe Metolli