Sipas një hulumtimi të Kombeve të Bashkuara, Rusia akuzohet për herë të parë për përfshirje të drejtpërdrejtë në krime lufte për shkak të bombardimit të zonave të banuara me civilë.
Raporti më i ri i Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar për Hulumtime rreth Sirisë përqendrohet në ngjarjet që kanë ndodhur nga korriku i vitit të kaluar deri në janar të këtij viti dhe veçanërisht në sulmet e kryera nga forcat pro-qeveritare në zonat civile.
Ky komision raportoi kryesisht për dy incidente, në të cilat u gjetën dëshmi thelbësore se aeroplanët luftarakë rusë kanë qenë të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në bombardimin e zonave civile.
Incidenti i parë ka të bëjë me një varg të sulmeve ajrore në një treg në Ma’arrat al-Numan, zonë me vendbanime të dendura, 33 kilometra në jug të Idlibit. Sulmet kishin ndodhur më 22 korrik. Në këtë rast, aeroplanët e kishin bombarduar zonën për herë të dytë brenda disa minutave, pas arritjes së ekipeve të emergjencës në vendin e ngjarjes. Dyzet e tre civilë, përfshirë katër fëmijë, ishin vrarë në këtë sulm.
Incidenti i dytë që ishte pjesë e këtij hulumtimi ishte bombardimi që kishte ndodhur më 16 gusht të vitit të kaluar. Sulmi ishte kryer në një kamp të civilëve të zhvendosur, ku ishin vrarë 20 persona, përfshirë tetë gra dhe gjashtë fëmijë, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.
Rusia e ka mohuar përgjegjësinë për vrasjen masive të civilëve në Siri, duke këmbëngulur se fushata e sulmeve ajrore është vetëm kundër grupeve terroriste.